Sport

United planifikon të ardhmen, Erik ten Hag ‘ëndrra’ për ‘teatrin’


Manchester United ka nisur planifikimin për të ardhmen e stolit.

Djajtë e kuq pritet që së shpejti të emërojnë në stol gjermanin 63-vjeçar, Ralf Rangnick.

Por, Rangicks do të jetë vetëm trajner i përkohshëm, për muajt e mbetur të këtij sezonit.

Më pas, ish-trajneri i Leipzig dhe Salzburg, do të marrë një rol drejtues në bordin e Manchester United, rol që kishte edhe te Lokomotiva e Moskës, nga ku po largohet tani.

Pikërisht nga ajo pozitë, Rangnick do të jetë vendimtar në emërimin e pasardhësit të tij në stolin e “Old Trafford”.

Sipas Daily Mail, në listën e gjatë të United që ishte dikur, kanë mbetur dy emra.

Bëhet fjalë për Mauricio Pochettino dhe Erik ten Hag.

Edhe pse Pochettino është një trajner që e njeh Premier League-n dhe i pëlqyer për shumicën e bordit të djajve, ten Hag është i preferuari.

Siç shkruhet, drejtuesit e lartë të United e konsiderojnë holandezin si pasardhësin perfekt të Rangnick.

Stili i lojës së ten Hag, shkon perfekt si vazhdimësi e asaj që gjermani do të ndërtojë në këto muaj te United.

Sipas Daily Mail, Erik ten Hag është i interesuar të ulet në stolin kryesor të Teatrit të Ëndrrave, dhe skuadra e tij Ajax-i, nuk do ta pengojë nëse ai kërkon largimin në fund të sezonit.

Tani, gjithçka po lidhet dhe e ardhmja e United duket si një rrugë e qartë pa asnjë pengesë.

Ndoshta, epokës së rezultateve të dobëta, në Teatër po iu vjen fundi…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore