Shqipëria

UNICEF: 11 mijë studentë shqiptarë nuk patën akses për mësimin online


Raporti i fundit i publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU) dhe UNICEF nxorri në pah vështirësitë e mësimit online gjatë pandemisë COVID-19 – me 11 mijë studentë shqiptarë që nuk patën akses.

Ky publikim sipas të dyja instancave lidhet me aksesin në internet si nxitës i transformimeve digjitale.

Në studim u përfshinë nëntë shtete jo-anëtare të Bashkimit Evropian – mes tyre edhe Shqipëria.

Raporti zbulon se edhe para njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për pandeminë në muajin mars, digjitalizimi i shërbimeve qeveritare tashmë ishte njohur gjerësisht si prioritet.

Në mars të vitit 2020, Këshilli i Ministrave në Shqipëri urdhëroi mbylljen e shkollave si pjesë e masave anti-COVID.

Që nga ajo kohë, raporton UNICEF, urgjenca COVID-19 u bë një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë.

Ministria ngriti një grup pune për të adresuar sfidat që lidheshin me mësimin në distancë.

Mbyllja e shkollave preku drejtpërdrejt më shumë se gjysmë milioni nxënës, sipas statistikave të zbuluara nga ITU-ja.

Reagimet dhe situata e arsimit

Ministria e Arsimit nisi përpjekjet për ta bërë mësimin të disponueshëm për të gjitha klasat.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve fillestare, lockdown-i ndikoi drejtpërdrejt në cilësinë e të mësuarit.

UNICEF specifikon grupet e cënueshme, të cilëve u mungoi lidhja e internetit, pajisjet e nevojshme për opsionet online dhe një mjedis i përshtatshëm shtëpiak.

Shumë prej tyre jetojnë në zona të largëta dhe rurale pa internet apo pajisje në shtëpi, sidomos fëmijët romë dhe fëmijët me vështirësi në të nxënë dhe me aftësi të kufizuara.

Si përgjigje ndaj pandemisë, Ministria Shqiptare e Arsimit, Sportit dhe Rinisë krijoi Akademi.al.

Kjo e fundit ishte një platformë online falas e disponueshme për të mbështetur mësimin e studentëve në nivele të ndryshme.

Deri në fund të vitit 2020, ajo mundësoi zhvillimin e 190 mijë mësimeve virtuale, duke arritur në më shumë se 462 mijë studentë dhe më shumë se 33 mijë mësues të regjistruar.

UNICEF raportoi se në vitin 2019 kishte rreth 31 mijë e 227 fëmijë, adoleshentë dhe të rinj që kishin mbetur jashtë sistemit arsimor në Shqipëri.

Ndërsa të dhëna të tjera tregojnë se shkalla e shkrim-leximit për grupmoshën 15-24 vjeç është 99.3 për qind.

Afërsisht 40.6 për qind e fëmijëve dhe të rinjve nuk arrijnë minimumin e përgatitjes sa i takon aftësive themelore të nevojshme për të mësuarit e mëtejshëm.

Strategjia e re

Edhe pse strategjia për vitet 2021-2026 ende nuk është miratuar, vijon raporti, Shqipëria ka bërë hapa për të decentralizuar më tej funksionet bazë.

Kjo, përmes ristrukturimit të agjencive kryesore përgjegjëse për mbështetjen e shkollave.

Si rezultat i reformës dhe nismave të tjera aktuale të qeverisë, Shqipëria ka akses të gjerë në arsimin bazë, me një normë regjistrimi neto prej 96 për qind.

Notat negative që zbulon studimi janë pabarazitë në mundësi dhe braktisja e studimeve.

Shqipëria ka një nga për qindjet më të larta të braktisjes së studimeve në Ballkanin Perëndimor.

Raporti ravijëzon se si shumë të diplomuar lënë shkollën pa zotëruar kompetencat bazë arsimore.

Sfida të tjera që mbeten barriera janë infrastruktura e dobët rreth shkollave (p.sh. rrugët, sistemet e transportit dhe sistemet e ngrohjes) dhe vështirësia e rekrutimit të mësuesve të cilësisë së lartë në zonat rurale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore