Lajme

Ukrainë: Ministri i Mbrojtjes Reznikov dorëzon dorëheqjen


Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiï Reznikov njoftoi të hënën se kishte paraqitur dorëheqjen e tij në Parlament, një ditë pas njoftimit të zëvendësimit të tij nga Volodymyr Zelensky, pas disa skandaleve korrupsioni brenda ministrisë në sfondin e pushtimit rus.

“Ia dorëzova letrën time të dorëheqjes Rouslan Stefantchouk, Presidentit të Parlamentit të Ukrainës”, deklaroi në X (ish-Twitter) Reznikov, në detyrë që nga nëntori 2021. “Ishte një nder t’i shërbeja popullit ukrainas dhe të punoja për ushtria ukrainase për 22 muajt e fundit, periudha më e vështirë në historinë moderne të Ukrainës”, shtoi ai.

Arsyet e shkarkimit ende nuk janë bërë me dije nga Zelensky, përtej njoftimit se Reznikov nuk është më ministër në kabinetin e tij.

“Oleksiy Reznikov ka kaluar më shumë se 550 ditë luftë në shkallë të gjerë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm të mbrëmjes. “Unë besoj se ministria ka nevojë për qasje të reja dhe formate të tjera të ndërveprimit si me ushtrinë ashtu edhe me shoqërinë në përgjithësi”.

Po ashtu pritet të mësohet pasuesi i Reznikov në detyrën e lartë, ku Zelensky mendon të propozojë Rustem Umerov, shefin e fondit kryesor të privatizimit në Ukrainë.

Kush është Rustem Umerov, personi që mund të marrë drejtimin e Mbrojtjes së Ukrainës

Disa muaj më parë, vetë Zelensky kishte kërkuar të shuheshin hamendësimet se ministri i tij do të zëvendësohej.

Kjo, pasi mediat kishin publikuar pikërisht skenarë rreth këtij vendimi.

Që prej shkurtit, u raportua se Reznikov mund të zëvendësohej nga shefi i Inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov.

Reznikov madje pritej ta shpallte vetë dorëheqjen, sipas raportimeve. Por, diçka e tillë nuk ndodhi.

Reznikov, në bazë të burimeve mediatike ukrainase në shkurt, nuk do të largohej krejtësisht nga kabineti, por atij do t’i besohej një post i ri dhe në konsideratë, po merren dikasteri i Drejtësisë dhe ai i Industrive Strategjike.

Nuk dihet ndërkaq nëse diçka e tillë do të ndodhë tashmë.

Vetë Reznikov, më parë, ka dhënë sinjale se mund të jetë drejt largimit, pasi është shprehur se jo gjithkush e ka të përjetshëm postin e tij në shërbim të popullit.

Pavarësisht kësaj, arsyeja e vërtetë e lëvizjes, mendohet se mund të jetë ajo e shpërthimit të një sërë skandalesh korruptive në Ukrainë, ku edhe Ministria që Reznikov drejton, u përfshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore