Lajme

Ukrainë: 9 korridore humanitare janë rënë dakord për evakuimin e civilëve


Nëntë “korridore humanitare” janë rënë dakord për evakuimin e civilëve të bllokuar në qytetet e Ukrainës. Këtë e ka bërë të ditur zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.

Por në një postim në median sociale Facebook, ajo tha se një kalim i sigurt nga Mariupol nuk është rënë dakord me Rusinë.

Ajo shtoi se shpreson që njerëzit që dëshirojnë të largohen nga qyteti mund të arrijnë në Berdyansk aty pranë, ku presin ndihma humanitare si ilaçet. Ajo theksoi se 24 autobusë janë në gatishmëri për transportin e njerëzve.

Disa nga përpjekjet e mëparshme për të evakuuar njerëzit nga Mariupol kanë dështuar pasi forcat ruse vazhduan të bombardojnë qytetin port ukrainas pavarësisht një armëpushimi të përkohshëm të rënë dakord.

Kujtojmë që kjo është dita e 28-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së, mbi 10 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 13 mijë.

Ndërsa nga shifrat vendase, rreth 2 mijë e 500 civilë mendohet se janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse – mes tyre edhe fëmijë.

Ndërsa OKB-ja ka raportuar të paktën 816 njerëz të vrarë dhe 1 mijë e 333 të plagosur që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore