Sport

UEFA shtyn ndeshjen AEK-Dinamo Zagreb pas vrasjes së një tifozi


Edhe pse UEFA i ndaloi tifozët të udhëtonin në transfertë në duelin mes AEK dhe Dinamo Zagreb në raundin e tretë kualifikues të Champions League, një natë para ndeshjes, “Bad Blue Boys” u shfaqën sërish në Athinë.

Rreth 150 tifozë të ultrasve të Dinamo Zagrebit kanë mbërritur në qytetin grek dhe në orët e vona të mbrëmjes së të hënës ka ndodhur një përplasje e ashpër me tifozët e AEK-ut. Sipas mediave greke, kroatëve iu bashkuan edhe tifozë të Panathinaikos, me të cilët janë në marrëdhënie miqësore.

Përplasjet e dhunshme midis grupeve ultras çuan në afro 100 arrestime. Një mbështetës grek i klubit të futbollit AEK është vrarë me thikë, sipas policisë lokale. Përleshjet lanë të paktën tetë persona të plagosur, tre grekë dhe pesë kroatë.

Sipas policisë, viktima 22-vjeçar i plagosur me thikë u shtrua në spital para se t’i dorëzohej plagëve të marra gjatë natës.

Mediat greke shkruajnë se tifozët nga Kroacia kanë dashur të hyjnë në stadiumin e AEK-ut. Më pas sulmuan tifozët e AEK-ut.

Një hetim është hapur dhe të arrestuarit do të dëgjohen nga prokurori të martën, sipas agjencisë greke të lajmeve “Ana”. Rreth 100 huliganë nga klubi kroat ishin të pranishëm në kryeqytetin grek, shtoi ajo.

Në këto kushte, organi drejtues i futbollit në Evropë, UEFA, ka vendosur që të shtyjë për një tjetër datë, ende të pacaktuar, duelin mes AEK-ut dhe Dinamo-s.

Për incidentet e ndodhura ka reaguar edhe klubi kroat, duke shkruar në mediat soaciale se “GNK Dinamo dënon ashpër trazirat e ndodhura mbrëmë në Athinë, në të cilat sipas raportimeve të policisë greke dhe mediave greke dhe kroate, disa tifozë që udhëtuan nga Kroacia drejt Greqisë u përfshinë në një incident me tifozët e klubit grek të futbollit AEK”.

“Si organizatë sportive, gjithmonë jemi të përkushtuar për promovimin e fair play, sportivitetin dhe atmosferë pozitive në stadiume. Trazirat jo vetëm që rrezikojnë sigurinë e të gjithëve të pranishëm, por shkatërrojnë edhe reputacionin e futbollit si sport që bashkon njerëzit dhe kulturën”.

“Shprehim shqetësimin tonë të thellë për këtë incident. Mjerisht, një person humbi jetën gjatë trazirave. GNK Dinamo i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së të ndjerit. Edhe njëherë kujtojmë dhe i bëjmë thirrje të gjithë tifozëve të Dinamo-s të mos udhetojnë për ndeshjen në Greqi, pasi UEFA ka marrë vendimin në marrëveshje me policinë që të dy ndeshjet ti luajnë pa tifozët vizitor”.

“GNK Dinamo mbetet e përkushtuar për krijimin e një ambienti ku dashuria për sportin shprehet në mënyrë pozitive, nëpërmjet komunitetit, respektit dhe bashkëpunimit”, përfundon deklarata e klubit kroat.

Tifozët e arrestuar

Në krahun tjetër, klubi i AEK-ut nuk ka shpërndarë deklaratë, por ka ndryshuar logot në mediat sociale duke hequr ato me ngjyrat karakteristike, verdhë e zi, dhe duke i zëvendësuar vetëm me të zeza.

Dhuna vdekjeprurëse në futboll ka goditur edhe më parë Greqinë. Në shkurt 2022, një tifoz 19-vjeçar, Alkis Kampanos, u rrah dhe u godit me thikë për vdekje në qytetin verilindor të Selanikut, pas një ndeshjeje midis dy klubeve rivale greke, PAOK FC dhe Aris FC.

Korrikun e kaluar, shtatë nga dymbëdhjetë të pandehurit në këtë rast u shpallën fajtorë për vrasje me dashje dhe u dënuan me burgim të përjetshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore