Sport

UEFA/ Nga 1 korriku do të ketë rregulla dhe sanksione të reja në “Fair Play Financiar”


Duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, UEFA do të ndryshojë rregullat e “Fair Play” financiar.

Nga kjo datë, të gjitha klubet nuk mund të shpenzojnë më shumë se 70 për qind e fitimeve vjetore për transferimin e lojtarëve.

Deri më tani, tejkalimi maksimal ishte 30 milionë dollarë, pavarësisht të ardhurave.

Gjithsesi, UEFA, për ta bërë më të lehtë implementimin e ndryshimeve dhe për të krijuar një lehtësi në kalimin nga rregullat e vjetra në ato të reja, për tre sezonet e ardhshme, kostot mund të arrijnë deri në 90 për qind të të ardhurave për çdo klub.

Ndërkohë, për ato klube që nuk i kanë thyer më parë rregullat, mund të kenë një diferencë bonus prej afërsisht 10 milionë dollarë.

Jo vetëm rregullat do të ndryshojnë, por edhe sanksionet. Natyrisht rruga më e lehtë do të jenë gjobat, ndërsa risi do të jetë, zbritja me një kompeticion, që do të jetë masa më e lartë e dënimit.

Për ta shpjeguar më thjeshtë, nëse një skuadër që ka siguruar pjesëmarrjen në Champions League, do të marrë dënimin më të lartë, atëherë do të luajë në Europa League, e kështu me radhë, deri në Conference League.

Gjithashtu një vëmendje maksimale do të tregohet edhe për kontratat e klubeve me sponsorët, kjo pasi shpesh shumë klube në të kaluarën kanë “fryrë” të ardhurat e tyre me sponsorizime fiktive nga kompani të lidhura me klubin.

Jo më pak me rëndësi, gjithashtu edhe emri do të ndryshojë, “Fair Play” Financiar do të zëvendësohet nga Rregulloret e Qëndrueshmërisë Financiare.

Rregullat e reja pritet të miratohen më 7 prill, pas votimit nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe do të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore