Sport

UEFA gati të zbulojë modelin e ri të Fair-Play Financiar


UEFA është e gatshme të reformojë Fair-Play Financiar (FPF) dhe brenda një muaji të dal me propozimin e ri. Nevoja për reformimin e FPF lindi pasi së fundmi klubet po shpenzojnë shuma të mëdha me transferime dhe paga lojtarësh.

Britanikja “The Times” shpjegon se organi më i lartë i futbollit evropian po përgatitet për të vendosur një kufi pagash dhe një taksë luksi mbi shpenzimet.

Sipas këtij sistemi të propozuar deri më tani, klubet që garojnë në kompeticionet e UEFA do të kufizoheshin në shpenzimet e tyre për paga deri në maksimumin e 70% të të ardhurave.

Klubet të cilat do të thyenin kufirin e pagës do të paguanin taksën e luksit. Në bazë të shpenzimeve të tepërta, UEFA do të mblidhte këto të ardhura dhe më pas do i rishpërndante.

Ky sistem i ri do të zëvendësojë rregullat e FPF-së të vendosura 11 vite më parë, të cilat përcaktojnë se klubet duhet të mbajnë buxhet të balancuar për një periudhë tre-vjeçare dhe deficiti i përgjithshëm nuk duhet të kalojë 30 milionë euro.

Propozimet e UEFA do të paraqiten muajin e ardhshëm në Zvicër, ku të pranishëm do të jenë përfaqësues të shoqatave kombëtare, klubeve, ligave, lojtarë dhe agjentë.

“The Times” zbulon se në mbledhjen që do të mbahet në Zvicër do të diskutohet edhe se si të ndalohen kërcënime në të ardhmen për një tjetër projekt si “Superliga Evropiane”.

Pani i ri i UEFA me FPF-në do të jetë më i drejtë dhe transparentë. Ai do i lejojë pronarët e pasur të klubeve të shpenzojnë përtej të ardhurave të klubit, por vetëm në rastet kur ata do të jenë të gatshëm të paguajnë taksën e luksit.

UEFA po synon të krijojë një sistem të ngjashëm me atë që përdoret në SHBA, në ligën e futbollit MLS dhe atë të basketbollit NBA.

Sistemi i kufirit të pagës dhe taksa e luksit gjithashtu do të ishte i mirëpritur nga Komisioni Evropian, pasi është në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore