Lajme

U vranë 50 civilë nga ushtria e Malit në prill, thotë OKB-ja


Më 19 prill, të paktën 50 civilë u vranë gjatë një operacioni ushtarak të kryer nga ushtria e Malit dhe “trupat e huaja”.

Kështu ka rezultuar nga një raport i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

OKB-ja ka akuzuar vazhdimisht ushtarët malianë se kanë ekzekutuar civilë dhe militantë të dyshuar gjatë luftës së tyre dhjetëvjeçare kundër grupeve të lidhura me Al-Qaida dhe Shtetin Islamik.

Qeveria ushtarake e Malit, e cila mori pushtetin në një grusht shteti të vitit 2020, është duke luftuar me kryengritësit islamikë me ndihmën e kontraktorëve ushtarakë privatë që i përkasin grupit rus Wagner.

Në prill, masakra e supozuar ndodhi në ditën e pazarit në komunën Hombori, në rajonin qendror të Douentza, pasi një kolonë ushtarake e Malit goditi një mjet shpërthyes të improvizuar.

Sipas misionit paqeruajtës të OKB-së MINUSMA në një raport tremujor mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në vendin e goditur nga kryengritësit në Afrikën Perëndimore, viktimat përfshinin një grua dhe një fëmijë.

Raporti nuk specifikoi kombësinë e personelit ushtarak të huaj që shoqëronte trupat vendase.

Rreth 500 njerëz u arrestuan për një kohë të shkurtër gjatë operacionit ushtarak të nxitur nga shpërthimi, por shumica u liruan më vonë.

Ditë më vonë, një ushtar i vetëm dyshohet se ekzekutoi 20 nga 27 civilët që ende mbaheshin në kampin ushtarak në Hombori.

Sakaq, raporti nxjerr se autoritetet kanë mohuar më parë akuzat se ushtarët torturuan civilët e mbajtur në Hombori.

MINUSMA dokumentoi 317 vdekje civile midis 1 prillit dhe 30 qershorit, 42 për qind më e ulët se 543 të regjistruara gjatë tremujorit të parë të vitit 2022.

Teksa kryengritësit kryejnë shumicën e abuzimeve, forcat e mbrojtjes dhe të sigurisë së Malit ishin përgjegjëse për pak më shumë se një të katërtën e akteve të dhunshme kundër civilëve të regjistruara gjatë asaj periudhe.

Ushtria e Malit në disa raste ka pranuar se forcat e saj ishin të implikuara në ekzekutime dhe abuzime të tjera. Por pak ushtarë janë përballur me akuza penale.

Autoritetet kanë ndaluar hetuesit e OKB-së nga një vend ku trupat e Malit dhe luftëtarët e dyshuar rusë dyshohet se ekzekutuan rreth 300 civilë gjatë një operacioni ushtarak në mars.

Më parë, si Mali ashtu edhe Rusia kanë thënë se grupi Wagner nuk përbëhet nga mercenarë, por nga trajnerë që ndihmojnë trupat lokale me pajisjet e blera nga Rusia.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore