Futboll

U prehsh në paqe Peter Lorimer!


Golashënuesi më i madh i Leeds United, Peter Lorimer, shuhet nga jeta në moshën 74-vjeçare

Skocezi ka shënuar 238 gola në 705 takime me Leeds, përgjatë një karriere 23-vjeçare. Lorimer ka fituar dy tituj kampionate angleze, një Kupë FA (Shoqata e Futbollit) dhe një tjetër Kupë Lige nën administrimin e trajnerit britanik legjendar, Don Revie.

 

Klubi nga Yorkshire-i Perëndimor ka deklaruar të shtunën, nëpërmjet një shkrese në rrjetet sociale, vdekjen e Lorimer-it, i cili vuante prej kohësh nga një sëmundje.

“Kontributi i Peter-it për Leeds United nuk do të harrohet kurrë dhe shuarja e tij, la një tjetër boshllëk në familjen e Leeds United”, shkruan deklarata.

“Ai do të mbetet përgjithmonë ikonë e klubit tonë dhe trashëgimia e tij do të jetë e përjetshme në Leeds”, përfundon Leeds.

Histori e përmbledhur e karrierës së Peter Lorimer

Lorimer ka qenë lojtari më i ri në historinë e Leeds. Ishte vetëm 15 vjeç kur debutoi për Leeds kundër Southampton në 1962.

I pozicionuar si mesfushor i avancuar, Lorimer shumë shpejt u kthye në një çelës të artë për Leeds. Në fund të viteve ‘60, Leeds kishte një prej ekipeve më dominante të kampionatit anglez. Në 1968, Leeds fitojnë Kupën e Ligës, në 1969 dhe 1974 kampionë në Kategorinë e Parë, në 1969 titullin e Charity Shield dhe në 1972, Kupën e FA-së.

Shumica prej topave të goditur nga Lorimer, puthiteshin dhe rrëshqisnin kaq fort me rrjetën kundërshtare, saqë u njoh me nofkën “goditja e nxehtë”.

Lorimer u largua nga Leeds në 1979 dhe luajti me Toronto Blizzard, Vancouver Whitecaps dhe York City përpara se të kthehej sërish te Leeds në 1983. Në këtë kohë, ishte 37 vjeç dhe Leeds nuk ishte më ai që kishte qenë. Leeds kishte rënë në atë çfarë sot quhet Kategoria e Dytë.

Sidoqoftë, kjo nuk e ndaloi të shënonte edhe 19 gola të tjerë në 87 paraqitjet e fundit me Leeds përpara se të tërhiqej përfundimisht.

Pasi doli në pension, Lorimer punoi si drejtor i Leeds-it, por edhe si ambasador i klubit.

Lorimer punoi edhe si ekspert futbolli në programin radiofonik “BBC Radio Leeds”. Kolumnist i Yorkshire Evening Post, me të cilin shkruante rregullisht për programet e ndeshjeve të Premier Ligës.

Kujtimi i tij do të mbetet përjetësisht në futbollin britanik, por edhe kudo nëpër botë ku është valëzuar jehona e shkëndijës së topave të goditur nga ai, në rrjetat e portave kundërshtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore