Lajme

Turqia mirëpret Marrëveshjen për Energjinë: Një hap i rëndësishëm drejt procesit të normalizimit


Ilustrim

Turqia ka mirëpritur nënshkrimin e kontratës komerciale për energjinë elektrike midis kompanisë kosovare për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) dhe kompanisë serbe “Drustvo Elektrosever D.O.O” në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Zgjidhja e shpërndarjes dhe furnizimit së energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe është konsideruar nga Ankaraja si një hap i rëndësishëm që kontribuon në procesin e normalizimit të  marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, transmeton agjencia turke e lajmeve “Anadolu” nga burime të afërta diplomatike.

Gjithashtu, burime të njëjta kanë rikujtuar se shteti turk ka bërë përpjekje të mëdha për të arritur një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e energjisë elektrike – një ndër elementet kyçe të normalizimit, ndërsa do të vazhdojë të mbështesë procesin e dialogut dhe do të vazhdojë të japë kontribut konstruktiv në proces nëse kërkohet nga palët.

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pa dhënë shumë detaje, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të shtunën gjatë ditës, ka njoftuar se KEDS-i dhe Elektroserveri kanë nënshkruar një kontrantë komerciale për energjinë pas një kohe shumë të gjatë, saktësisht pas marrëveshjes së vitit 2013.

“E mirëpres nënshkrimin e kontratës komerciale mes KEDS-it dhe Elektroserverit. Ky është hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Udhërrëfyesit për Energjinë dhe drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar diplomati sllovak në platformën sociale “X” të shtunën , por nuk ka treguar si, ku dhe kur është nënshkruar kontrata në fjalë.

Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë “Elektroprivreda Srbije (EPS)”, ndërsa licenën për operim në territorin e Kosovës në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative e ka marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në fund të muajit qershor të 2022, pas dakordimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energji.

Kjo marrëveshje synon të normalizojë shpërndarjen, furnizimin, dhe faturimin e energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës të banuara me serbë etnikë – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Serbët në pjesën veriore nuk kanë paguar rrymë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa tani e tutje kjo çështje pritet të zgjidhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore