Lajme

Tuc, paranojak, kopshtar, i dorëzuar, Don Kishot… – gjithçka iu tha sot Kurtit në Kuvend


Lumir Abdixhiku, Albin Kurti dhe Memli Krasniqi

Përtej kritikave të mëdha që kishte opozita për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në seancën e parë parlamentare të sesionit vjeshtor, akoma më të rënda i ka pasur ofendimet.

“Tuc, paranojak, kopshtar, i dorëzuar, Don Kishot…”, janë vetëm disa nga mbiemrat që Memli Krasniqi i Partisë Demokratike të Kosovës e Lumir Abdixhiku, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i patën për kryeministrin.

Seanca ishte thirrur për shumë pika, por ajo më e rëndësishmja ishte greva e nëpunësve civilë që nuk po kalon.

Seanca e Kuvendit u karakterizua me ofendime, e pak debat të strukturuar që supozohej të prodhonte një konsensus të përgjithshëm për gjetjen e një zgjidhjeje për ngërçin e grevës si në arsim ashtu edhe në administratë publike.

I pari që e hapi “spektaklin e fyerjeve”, ishte shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Sipas tij Kurti opozitar, i para dy viteve, po ta shihte Albinin si kryeministër do ta pështynte atë në fytyrë.

Kjo pasi që sipas tij dallimi ndërmjet Albin Kurti në opozitë, me Albin Kurtin si kryeministër është i madh, sidomos në çështjen e sindikatave, sepse i njëjti sa ishte në opozitë premtonte se me ardhjen e tij në pushtet “do të përmirësoheshin kushtet e të plotësoheshin kërkesat e sindikatave”, e ndërsa tash i lufton ata me të gjitha mjetet institucionale.

“Pas tri javësh në grevë nuk ka dialog, nuk mund të thuash se po dialogon me sindikatat kur i fton në takim pas 20 ditëve të grevës, për të thënë të njëjtin gjë që ke deklaruar në ditën e parë, veçse tashmë më me shumë inat dhe me më shumë ashpërsi”, tha Tahiri.

E në përgjigjen e tij ndaj kritikave për grevën në arsim dhe fusha të tjera në sektorin publik, i pari i ekzekutivit, deklaroi se problemi nuk qëndron te kërkesa e sindikalistëve për 100 euro shtesë apo në një shumë tjetër, por me atë se grevistët “e kanë dizajnuar keq kërkesën”.

Sipas Kurtit sjellja e tij ndaj sindikatave nuk është as arrogante e as një qasje nga inati dhe se dialogu, siç po pretendojnë partitë opozitare, nuk ka munguar.

“Kemi mospajtime themelore, sepse unë jam i bindur që në këtë krizë duhet të dalim me pakon tonë dhe jo me kërkesa partikulare”, ka deklaruar ai.

Megjithatë as Kurti nuk i ka ikur ofendimeve gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit, kur përshkroi takimin e fundit që pati me kryesindikalistin, Rrahman Jasharaj.

Kurti duke e përmbledhur me një fjali kërkesën kryesore të sindikalistëve ka përqeshur udhëheqësin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn.

“Nimom si vlla, na ndihmo si vlla, ami 100 euro. A po kupton, nuk bën ashtu”, ka thënë Kurti duke e imituar me përbuzje Jasharajn.

Sipas tij, Jasharaj nuk mund të sillet me Qeverinë e Kosovës në mënyrë private kur adreson kërkesën e Këshillit të Grevistëve.

“Mënyra është e njëjtë unë i dua paratë, nuk çaj kokën as për shoqëri, nuk çaj kokën as për shtetin, unë i dua paratë për vete. Po kështu nuk bën. Dhe kjo kërkesë kaq partikulare, as nuk mund të maskohet e gjithsesi zbulohet me shprehjet vëlla”.

E doza e fyerjeve u ashpërsua në momentin që Albin Kurti lëshoi sallën e Kuvendit të Kosovës. Ai përpos që u brohorit nga deputetët e partive opozitare, u cilësua edhe si frikacak, i cili nuk është në gjendje të ballafaqohet me kritikat e deputetëve.

Ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai i cili e mori fjalën menjëherë pas Kurtit për të replikuar me të, por i njëjti veçse kishte lëshuar sallën.

“Po, me kon’ me repliku? Me këtë tuc, se ky tuc ka le, tuc ka jetu, tuc ka me dal prej ktushi’, ky është tuc që ka ikë prej njerëzve, ikë prej sindikatave tash ikë edhe prej deputetëve, por ma e randa’ është që ky është tuc që ikë prej të vërtetës”, pohoi Krasniqi i mllefosur.

Për të, cilësimi i mësimdhënësve si “pazarxhi”, nga ana e kryeministrit është i padrejtë.

“Nuk janë duke kërkuar pare, por dinjitet”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka kërkuar nga kryeministri një gjë të vetme –  të gjejë një zgjidhje për çështjen e grevës.

“Gjej zgjidhje ne do të mbështesim, por mos u sill si Don Kishoti duke krijuar armiq imagjinarë”.

E për Abdixhikun, Kurti më shumë i ngjason një “kopshtari në luftë”, sesa një luftëtari i cili kap armën dhe lufton.

Sipas tij kur gjërat janë mirë, Kurti “merr zemër si luan”, e kur gjërat shkojnë keq “ai dorëzohet e i ngrit duart lartë”.

“Kur është qetë ai merr zemër si luan, por kur është krizë ai bëhet kopshtar. Ai s’i besonte as vetë masave e politikave që i propozonte. Ai listoi disa masa pa e kuptuar vërtetë problemin, foli për pako, a është duke e kuptuar që masat e tij nuk janë duke pasur efekt”, ka thënë Abdixhiku.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

Çfarë do qeveria?

Qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e procedura ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe pa pranuar që të takohet me ta.

Edhe pse Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, pati lëshuar një komunikatë për media, ku thotë se takimet nuk kanë munguar. Por takimi që kërkohej nga grevistët ishte ai i Kurtit me Këshillin e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore