Lajme

Tahiri: Albini i opozitës do ta pështynte në fytyrë Albinin kryeministër


Abelard Tahiri dhe Albin Kurti

Për Shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, dallimi ndërmjet Albin Kurti në opozitë, me Albin Kurtin si kryeministër është i madh.

E për ta portretizuar një gjë të tillë, Tahiri ka thënë se “Albin Kurti i opozitës po ta shihte në pasqyrë Albin Kurtin, kryeministër, do ta pështynte”.

Sipas Tahirit, Kurti, sa ishte në opozitë premtonte se me ardhjen e tij në pushtet do të përmirësoheshin kushtet e të plotësoheshin kërkesat e sindikalistëve.

Megjithatë një gjë e tillë për Tahirin nuk ka ndodhur. Përkundrazi ai ka hapur luftë kundër sindikatave.

“Pas tri javësh në grevë nuk ka dialog, nuk mund të thuash se po dialogon me sindikatat kur i fton në takim pas 20 ditëve të grevës, për të thënë të njëjtin send që ke deklaruar në ditën e parë, veçse tashmë më me shumë inat dhe me më shumë ashpërsi”, ka thënë Tahiri në foltoren e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për çështjen e grevës së përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

“Me 14 shkurt keni ardhur në pushtet me mbështetje të madhe të qytetarëve, në programin zgjedhor të qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti thuhet se do të fuqizoni bashkëpunimin me sindikatat duke inkurajuar dhe ndihmuar punëtorët për organizim sindikal”.

“Në vend të plotësimit të kushteve kryeministri e ka bllokuar dialogun, kryeministri Kurti po ushtron pushtetin arbitrar në vend se të përmirësoj kushtet e sindikalistëve të cilën e premtonte para 2 viteve”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore