Lajme

Trump i braktisur nga avokatët e tij, të gatshëm për të dëshmuar kundër


“Ndjej keqardhje të thellë, pendohem si avokat dhe si i krishterë që nuk kam bërë kontrollet e nevojshme: po të kisha ditur atë që di sot, nuk do ta kisha përfaqësuar kurrë ligjërisht Donald Trump-in”.

Jenna Ellis ishte dje e katërta nga 18 të bashkëpandehurit me Donald Trump në gjyq për përpjekjen për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të fituara nga Joe Biden në Georgia, për të pranuar fajësinë.

Çka ka më shumë rëndësi: gatishmëria për të dëshmuar kundër ish-presidentit.

Trump këmbëngul se nuk është i shqetësuar për rezultatin e katër çështjeve penale dhe dy çështjeve civile.

Ai vazhdon t’i përdorë problemet e tij ligjore si lëndë djegëse për fushatën e tij elektorale për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë dhe si një forcë shtytëse për mbledhjen e fondeve midis mbështetësve të tij.

Dje ai u kthye në gjykatë në New York, ku grupi i tij i pasurive të paluajtshme është nën akuzë për evazion fiskal dhe krime financiare.

Prania e tij në seancë nuk kërkohej, por ai donte të dëgjonte dëshminë e Michael Cohen, ish-avokatit akuzues.

Dhe ka shfrytëzuar rastin për ta cilësuar si “gënjeshtar”, duke folur para gazetarëve në një pauzë në seancë.

Në një tubim të hënën në New Hampshire, ish-presidenti ishte kthyer në rolin e të përndjekurve politikë, madje duke e krahasuar veten me Nelson Mandela-n.

“Nuk kam frikë, nuk e kam problem të përfundoj si ai. Po e bëj për të shpëtuar kombin”.

Një krahasim me fituesin e çmimit Nobel, i cili kaloi 27 vjet pas hekurave për luftën e tij kundër aparteidit, është objektivisht qesharak, por sugjestionues për fansat që e adhurojnë dhe efektiv për qëllimet e betejës së tij për të fituar nominimin republikan.

Por nëse në këtë pikë Trump mund të vazhdojë të prezantohet vetëm si viktimë e akuzave të çuditshme, fakti që avokatët, të cilët në disa raste janë bërë bashkëpunëtorët e tij më të afërt dhe më të besuar, tani po kalojnë në rolin e akuzuesit, e brengosin atë.

Si ër pasojat gjyqësore, por edhe për ndikimin në atë tezë të zgjedhjeve të vjedhura nga Biden që është gurthemeli i ndërtimit politik të ish-presidentit.

Nëse ata që deklarojnë se ajo tezë është e pabazë janë juristë që e kanë mbështetur fuqishëm apo edhe kanë kontribuar në ndërtimin e saj rreth tavolinës duke dalë me teoritë më imagjinative të konspiracionit, ai ndërtim shembet mbi kokën e Trump-it.

Çka e vë në telashe është pendimi i Ken Chesebro, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt ligjorë të Trump në javët pas humbjes së tij elektorale dhe i Sidney Powell.

Me një marrëveshje për pranimin e fajësisë që e shmang atë të shkojë në burg Chesebro, i cili do të duhet t’i shkruajë një letër falje popullit të Geotgia-s, pranoi se ka punuar me Trump dhe me bashkëpunëtorët e tij më të afërt për të përmbysur rezultatin e votimit atje dhe në shtete të tjera.

Ai pranon përpjekjen për të shkelur Kushtetutën dhe ligjet federale “për të përmbysur procedurat e kolegjit zgjedhor”.

Por ajo që e befasoi më shumë Trump-in dhe klanin e tij është fytyra e Pawell-it: në dhjetor 2020 ishte më i pakufizuari në pretendimin se presidenti i atëhershëm duhet të refuzonte me çdo mjet për të njohur rezultatin e votimit.

Ai shkoi aq larg sa shpiku teori të egra konspiracioni duke pretenduar se kompania Dominion kishte manipuluar makinat e saj elektorale në grup me shërbimet sekrete të Venezuelës.

Shumë edhe për Shtëpinë e Bardhë të Trump, e cila e dëboi atë.

Por disa ditë më vonë, një Trump i dëshpëruar, i gatshëm për të mbështetur çdo teori vetëm për të qëndruar në pushtet, e thirri atë.

U kthye për të akuzuar publikisht Dominion dhe u përpoqën të ndërhynin në funksionimin e atyre makinerive dhe të arrinin anulimin e votës.

Trump tashmë flet për rrëfimet që zhvaten me kërcënimin e burgut, por sistemi i uljes së dënimeve për ata që bashkëpunojnë me drejtësinë është në fuqi kudo në SHBA dhe jo vetëm.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore