Sport

Tronditet Kombëtarja shqiptare – Sokol Cikalleshi rezulton pozitiv me COVID-19


Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi, ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Ai do të mungojë në ndeshjen vendimtare të Kombëtares ndaj Polonisë, që luhet të martën në “Air Albania, në kuadër të eliminatoreve për Botërorin “Katar 2022”.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bëri me dije se futbollisti kuqezi ka rezultuar pozitiv në testet me tampon të kryera nga Kombëtarja sot.

Pas rezultatit të analizave, Cikalleshi është larguar nga grumbullimi për të nisur karantinën dhe nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme stërvitore.

Përveç tij, të gjithë lojtarët e tjerë dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë.

Kësisoj, trajneri Edy Reja do të ketë katër mungesa në sfidën ndaj Polonisë: më konkretisht Bekim Balaj e Berat Gjimshiti (të dëmtuar), Endri Çekiçi (i skualifikuar) dhe Sokol Cikalleshi (pozitiv me COVID-19).

Më parë, në këtë grumbullim pozitiv kishin dalë edhe Erion Hoxhallari dhe fizioterapisti i kuqezinjve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore