Lajme

Tre vende të Afrikës Perëndimore nënshkruan një pakt sigurie për Sahel-in


Mali, Niger-i dhe Burkina Faso, tre vende të Sahel-it të Afrikës Perëndimore të sunduara nga junta ushtarake, nënshkruan një pakt sigurie, duke u zotuar t’i vijnë në ndihmë njëri-tjetrit në rast të ndonjë rebelimi ose agresioni të jashtëm.

Të tre vendet po përpiqen të mbajnë nën kontroll kryengritësit e lidhur me rrjetin e Al-Qaeda’s dhe grupin e armatosur të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), dhe marrëdhëniet e tyre me fqinjët dhe partnerët ndërkombëtarë janë tensionuar gjithashtu nga grushtet e shtetit.

Grushti i shtetit i fundit në Niger ka krijuar një pykë të re midis tre vendeve dhe bllokut rajonal, Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore, i cili ka kërcënuar të përdorë forcën për të rivendosur autoritetin kushtetues në vend, raporton Reuters.

Mali dhe Burkina Faso janë zotuar se do t’i vijnë në ndihmë Niger-it nëse sulmohet.

“Çdo sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të një ose më shumë palëve kontraktuese do të konsiderohet agresion kundër palëve të tjera”, thuhet në statutin e paktit, i njohur si Aleanca e Shteteve të Sahel-it.

Ai tha se shtetet e tjera do të ndihmonin individualisht ose kolektivisht, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore