Lajme

Tre të vrarë pas sulmit të dytë ndaj bazës ajrore në Rusi


Tre ushtarë rusë u vranë herët të hënën nga rrëzimi i rrënojave të një droni ukrainas që u rrëzua teksa po sulmonte një bazë në rajonin e Saratov-it të Rusisë, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar ministrinë e mbrojtjes.

Ky ishte sulmi i dytë në bazë këtë muaj, shkruan “Reuters”.

“Një mjet ukrainas pa pilot u rrëzua në lartësi të ulët teksa po i afrohej aeroportit ushtarak Engels në rajonin e Saratov-it”, njoftuan agjencitë e lajmeve nga ministria ruse. “Si pasojë e rënies së rrënojave të dronit, tre ushtarakë rusë të stafit teknik që ndodheshin në aeroport u plagosën për vdekje”.

Baza, pranë qytetit të Saratov-it, rreth 730 kilometra në juglindje të Moskës dhe qindra kilometra nga linjat e frontit në Ukrainë, u godit më 5 dhjetor në atë që Rusia tha se ishin sulme me dronë ukrainas në dy baza ajrore ruse.

Sulmet e dyfishta i dhanë Rusisë një goditje të madhe reputacioni dhe ngritën pikëpyetje se pse dështoi mbrojtja e saj, thanë analistët, ndërsa vëmendja u kthye në përdorimin e dronëve në luftën mes fqinjëve.

Ukraina nuk ka marrë asnjëherë publikisht përgjegjësinë për sulmet në Rusi, por ka thënë megjithatë se incidente të tilla janë “karma” për pushtimin e Rusisë.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se pajisjet e aviacionit nuk u dëmtuan, por sipas raportimeve jozyrtare të mediave sociale ruse dhe ukrainase, një numër avionësh u shkatërruan.

Më herët të hënën, Roman Busargin, guvernatori i rajonit të Saratov-it, tha se objektet e infrastrukturës civile nuk u dëmtuan në incident.

“Nuk ka absolutisht asnjë kërcënim për banorët… Objektet e infrastrukturës civile nuk u dëmtuan”, tha Busargin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore