Lajme

Trajkoviç: Radoiçiç u lirua për të ikur nga Bërnjaku


Ilustrim

Sipas një raporti të Policisë së Kosovës, Milan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe (LS), u largua nga vendkalimi kufitar në Bërnjak të enjten, derisa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin duke kontrolluar dokumentet e tij.

Siç u raportua, Radoiçiç ka kthyer veturën dhe është futur në territorin e Serbisë, duke shmangur kështu arrestimin për shkak të marrjes në pyetje në kuadër të hetimeve për rastin “Brezovica”.

Rada Trajkoviç, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve të Kosovës, është skeptike në lidhje me pretendimet e mediave se Radoiçiç është arratisur.

Siç ka deklaruar në një prononcim për mediumin serb Danas, është më e prirur të besojë se ai është liruar se sa që është arratisur.

Rada Trajkoviç

“Teknikisht nuk ka mundur ta kthejë makinën dhe të kthehet në Serbi.  Në vendkalimin kufitar ka pengesa fizike në mes dy korsive dhe për të kaluar në drejtimin që shpie në Serbi është dashur të kalojë shtëpitë ku ndodhen Policët e Kosovës”.

“Ai iku nga Bërnjaku ashtu siç dyshohet se iku nga Mitrovica e Kosovës kur u organizua një aksion arrestimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Dallimi i vetëm është se atëherë kryeministër ishte Ramush Haradinaj, ndërsa sot Albin Kurti, thekson Trajkoviç, duke shtuar se hetimi ka konstatuar se në momentin kur Radoiçiç pretendohet se ka ikur nga vendkalimi, kamerat nuk kanë funksionuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Milan Radoiçiç gëzon një status të privilegjuar në Kosovë, i cili nuk ndryshon dukshëm me ndryshimin e partisë në pushtet.

Millan Radoiçiç

“Haradinaj ka folur publikisht për miqësinë me Radoiçiçin. Kurti ka një retorikë tjetër, por sistemi që ka krijuar dhe të cilin e kontrollon, ka komunikim shumë të mirë me Listën Serbe, Goran Rakiçin, kryetarin e Listës Serbe dhe vetë Radoiçiçin.  Në kuptimin politik, afarist dhe kriminal, Serbia dhe Kosova janë shumë mirë të integruara”, thotë Trajkoviç.

Konfirmimi i tezës së saj se Radoiçiç është liruar nga vetë Policia e Kosovës, ka ardhur shumë shpejt pasi që Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre policëve në Bërnjak, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Policia e Kosovës

Rada Trajkoviç thekson se askush në Prishtinë nuk ka interes për të përndjekur përfaqësuesit e Listës Serbe dhe se për ta problem më i madh është lidhja e tyre me grupet kriminale.

“Lista Serbe në Zgjedhjet Lokale të mbajtura së fundmi kishte problem të madh në gjetjen e kandidatëve për kryetarë komunash që nuk kanë të kaluar kriminale. Nuk ka komunë në të cilën ata nuk janë të përfshirë në krim dhe njerëzit thonë se Radoiçiç ka një rol të rëndësishëm në gjithë këtë”, ka thënë Trajkoviç për Danas.

Liderët e Listës Serbe

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore