Lajme

Trajkoviç lirohet nga spitali: Serbia u kthye në të kaluarën e errët


Rada Trajkoviç

Këshilltarja e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviç, është liruar nga spitali në Prokuple ku ishte duke u trajtuar për shkak të përkeqësimit të papritur të shëndetit të saj.

Ajo të shtunën, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ka treguar se ka dalë nga spitali dhe është dërguar për mjekim në shtëpi, derisa bëri të ditur se gjendja e saj shëndetësore është stabile.

“Mëngjesin e sotëm në orën 06:00 dola nga spitali për mjekim në shtëpi. Faleminderit secilit prej jush që luftuat për mua. Më bëtë më të fortë. Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që me vendosmëri folën për torturën”, ka shkruar Trajokoviç.

Trajkoviç ka kritikuar regjimin serb i cili e mbajti për orë të tëra në pikë kufitare në Merdarë pa asnjë arsye.

“Ditët e fundit kanë ekspozuar fytyrën e tyre të vërtetë. Maska ‘pro-evropiane’ ka rënë dhe ne të gjithë e dimë tani me kë kemi të bëjmë: njerëz që urrejnë patologjikisht kundërshtarët dhe abuzojnë me ligjin për të shkatërruar këdo që i pengon, qoftë serb, shqiptar, kroat”.

“Regjimi ka humbur të gjithë kuptimin e asaj që është e pranueshme në Evropën moderne. Dje ishte një rikthim në të kaluarën e errët”, shtoi Trajkoviç.

Politikanja serbe iu bëri thirrje edhe të tjerëve që ta luftojnë regjimin e instaluar nga Presidenti i Serbisë, Alekasanër Vuçiç, siç bëri ajo.

“Ju ftoj të gjithëve që të përballeni me këtë regresion, secili në mënyrën tuaj, çdo ditë dhe pa asnjë grimë frike. Pa marrë parasysh sa kushton. Unë jam mësuar me të. Më intereson drejtësia, liria dhe e vërteta. Dhe për këtë ia vlen të luftosh”.

Ndryshe, Trajkoviç, pas gati 24 orësh të ndalimit në vendkalimin kufitar në Merdare, gjatë rrugës nga Serbia për në Kosovë, ishte transferuar me autoambulancë në Prokuple për shkak të përkeqësimit të papritur të shëndetit të saj.

“Ekzaminimi tregon shenja të hershme të pneumonisë. Ne ju falënderojmë për mbështetjen tuaj dhe do t’ju mbajmë të informuar për gjendjen e saj”.

Kujtojmë se Trajkoviç është ndaluar të enjten nga policia serbe në vendkalimin me Kosovën dhe që nga ajo ditë nuk i është lejuar të hyjë në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore