Shqipëria

“Toyota Yaris”, Balla Bashës: Jam krenar që e kam fituar betejën


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një deklaratë për media të hënën e 14 shkurtit, sa i përket çështjes “Toyota Yaris”, ka deklaruar se e ka fituar betejën juridike dhe gjyqësore kundër kryedemokratit Lulzim Basha.

Sipas Ballës tashmë Basha duhet të paguajë kostot e akuzave që ka hedhur para tre-katër vitesh.

“Jam shumë krenar para të gjithë atyre që më kanë besuar, që një akuza e pavërtetë që Basha adresoi drejt meje me arsyeje se unë po qeshja më shumë me 7X7 bëjnë 42”, tha ai para medias.

Ai shtoi se “gënjeshtrat e Bashës, me dijeni apo pa dijeni dëmtuan një operacion policor”.

Sa i përket kësaj të fundit, Balla tha se tashmë Basha ka kohën në dispozicion për t’iu përgjigjur prokurorëve belgë dhe shqiptarë.

Kujtojmë se të enjten 10 shkurt Basha u thirr pranë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, për të dëshmuar përballë prokurorëve belg.

“Një njeri që kishte aq shumë informacion, të shkojë ti japë informacion autoriteteve belge dhe shqiptare”, vijoi Balla.

Balla e mbylli këtë çështje duke iu drejtuar Bashës se, “ka një shprehje, ‘çdo të mbjellësh do të korrësh’, dhe Luli do të mbjellë ato që korri”.

Si “lindi” Toyota Yaris?

Kjo çështje u bë publike nga kryedemokrati i cili akuzoi Ballën, si të përfshirë në marrjen e miliona eurove.

Nga foltorja e Kuvendit në vitin 2018, Basha deklaroi se në Shqipëri do të vinin 5 milionë euro.

Tre ditë pas deklaratës së tij – në Durrës u kapën dy makina “Toyota Yaris” me disa miliona euro brenda tyre.

Deklarata e tij ndryshoi itinerarin, pasi makinat që supozoheshin të niseshin nga porti i Ankonës, devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit drejt Durrësit.

Balla e fitoi edhe gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje.

Sa u përket hetimeve, Gjykata e Tiranës më 19 tetor ka dënuar me një vit e gjashtë muaj burg Ervis Vladin.

Pamje e makinës “Toyota Yaris” gjatë sekuestrimit
Kjo për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në dy mjetet tip “Toyota Yaris”. Këto të fundit kishin mbërritur në Portin e Durrësit nga Belgjika.

Vladi ishte një ndër gjashtë personat, të cilët u hetuan për këtë çështje. Fillimisht të gjithë u hetuan për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.

Por, Gjykata e ka dënuar Vladin, duke e shpallur dhe fajtor për veprën penale “mosdeklarim të ardhurash në kufi ose sendeve me vlerë”.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të dënohet me vetëm një vit burg.

Paratë e sekuestruara
Çfarë ka ndodhur më tej?

Në të njëjtën dosje u dënua edhe Agim Çeka për “armëmbajtje pa leje” me dy vjet e katër muaj heqje lirie.

3 persona u arrestuan, dy shoferët dhe administratori i kompanisë që transportoi makinat.

Fillimisht, hetimet nisën nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ajo arrestoi dhe nxori masa sigurie për gjashtë persona si të dyshuar të përfshirë në këtë ngjarje.

Por, më pas, Prokuroria shpalli moskompetencë dhe e kaloi dosjen në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit vlerësoi se nuk qëndronte akuza e mosdeklarimit të të hollave në kufij për të gjithë personat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore