Aplikacione

TikTok-u ngrin punësimin për marrëveshjen e sigurisë me SHBA-të


Platforma TikTok ka ndaluar një proces punësimi për konsulentët që do ta ndihmonin të zbatonte një marrëveshje të mundshme sigurie me SHBA-të.

Dhe e gjitha vjen pasi kundërshtimi ndaj një marrëveshjeje të tillë midis zyrtarëve amerikanë rritet.

Të paktën kështu rezulton sipas dy personave të njohur me këtë çështje, të cilët e kanë bërë të ditur lajmin për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

TikTok-u ka kërkuar të sigurojë Washington-in për tre vitet e fundit se të dhënat personale të qytetarëve amerikanë nuk mund të aksesohen dhe përmbajtja e tij nuk mund të manipulohet nga Partia Komuniste e Kinës ose ndonjë ent tjetër nën ndikimin e Pekinit.

Presidenti Joe Biden tërhoqi një urdhër ekzekutiv në vitin 2021 nga paraardhësi i tij Donald Trump për të ndaluar TikTok-un në SHBA, por negociatat midis administratës së tij dhe kompanisë kanë vazhduar për një marrëveshje të mundshme.

Kjo e fundit do të kursente kompaninë mëmë ByteDance nga detyrimi për të hequr TikTok-un.

Platforma, si pjesë e këtyre negociatave, ka krijuar një program për të siguruar qeverinë e SHBA-ve se do të pajtohet me marrëveshjen e tyre të sigurisë.

Programi përfshin punësimin e një monitori të palës së tretë, një inspektori të kodit burimor dhe tre auditë, duke përfshirë një të dedikuar për sigurinë kibernetike dhe një për të siguruar të dhënat e përdoruesve.

Këto pozicione, sipas burimeve të “Reuters”-it do të paguhen nga TikTok-u, por do t’i raportojnë zyrtarëve të qeverisë amerikane.

Sakaq, platforma ka dërguar kërkesa për propozime për disa prej këtyre roleve në fillim të dhjetorit me qëllim që të parashtrojë kandidatë të mundshëm për miratim në Komitetin për Investimet e Huaja në SHBA (CFIUS).

Por në një pengesë për marrëveshjen, ka informuar konsulentët që konkurronin për disa nga këto role në fund të muajit të kaluar se procesi i punësimit ishte në pritje dhe se do t’i përditësonte ato deri në fund të janarit nëse do të rifillonte.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore