Shqipëria

“T’i thuash derrit, dajë”, Kurti s’e komenton deklaratën e Berishës për takimin e tij me Ramën: S’është dita të flasim


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar që ta komentoi deklaratën e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili duke folur për takimin në mes të Kurtit dhe Edi Ramës – pas një kohe të gjatë – me ironi tha se “epo nganjëherë do detyrohesh t’i thuash edhe derrit dajë”.

“Nuk është sot dita që të flasim për dallimet politike, për polemikat aktuale, por sot jemi bashkë, shqiptarët e kanë të përbashkët gjuhën dhe kulturën, historinë dhe ardhmërinë dhe e tashmja mbushet me kuptim pikërisht në këtë mënyrë”, tha Kurti nga Shqipëria, ku mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.

“Kemi ditë shumë ditë të tjera përgjatë vitit për tema të tilla”, shtoi kryeministri.

Pavarësia ka bërë bashkë kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe atë kosovar, Albin Kurti në Vlorë.

Përbashkuese gjithsesi ka qenë vetëm prania e tyre fizike, pasi dy kryeministrat nuk janë parë as të shkëmbejnë as biseda, as të takohen

Një shtrëngim duarsh mes Kurtit dhe Ramës, pati edhe më 16 tetor në kuadër të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, pas një periudhe të tensionuar me deklarata në distancë mes palëve pas qëndrimeve të ndryshme në lidhje me situatën në Veri të Kosovës.

Rama gjatë muajit korrik kishte zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë, ku ishte pritur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, por jo edhe nga homologu i tij kosovar.

Po ashtu Rama e kishte anuluar pjesëmarrjen në mbledhjen qeveritare Kosovë-Shqipëri për shkak të mosdëgjueshmërisë së Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare.

Pavarësia ‘bashkon’ Ramën dhe Kurtin, ngrihet flamuri në Vlorë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore