Lajme

T’i mbajnë, t’i shtyjnë, të vendosin vetë – çfarë mendon opozita për zgjedhjet në Veri


Foto nga Albanian Post

Kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës, paritë opozitare kanë mendime të ndryshme se do duhet të shtyhen zgjedhjet apo jo për shkak të situatës së tensionuar në veri.

Pavarësisht tensioneve, për Partinë Demokratike të Kosovës, Qeveria e ka për detyrë të krijojë kushte për mbarëvajtjen procesit zgjedhor më 23 prill.

Nënkryetarja e kësaj partie Vlora Çitaku, thotë për Albanian Post se qytetarët nuk duhet të mbesin pa institucione.

“PDK ka kandidatët për zgjedhjet komunale që pritet të mbahen. Qeveria e ka për detyrë që të krijojë kushtet e domosdoshme për organizimin e tyre dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Qytetarët tanë në Veri të vendit nuk guxojmë t’i lemë pa adresë dhe pa institucione”, tha Çitaku.

Ndërsa zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, theksoi për AP se për shtyrjen ose jo të zgjedhjeve duhet të vendosin institucionet, përtej opinionit të opozitës.

“Zgjedhjet në veri janë çështje që duhet trajtuar nga institucionet përkatëse si Presidenca, KQZ dhe Institucionet e Sigurisë. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve apo jo nuk lidhet me qëndrimin e partive politike, por të kreut të shtetit”, theksoi ajo.

Pro shtyrjes së zgjedhjeve është shprehur Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Më 13 prill, gjatë seancës së Kuvendit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga institucionet shtyrjen e zgjedhjeve, marrë parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në këtë pjesë të vendit.

“Zgjedhjet e shpallura herën e kaluar nuk arritëm t’i mbajmë dhe po ashtu procesi për t’i mbajtur zgjedhjet tash në Veri nuk është i qëndrueshëm. E pse jemi në këtë gjendje? E dimë fare mirë agjendën e Serbisë edhe të Listës Serbe dhe i dimë kushtëzimet, por a e dimë ne dhe Qeveria në Kosovë rrugën deri te suksesi”, ka pyetur Haradinaj gjatë fjalimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Sipas burimeve të Albanian Post, përkundër se mund të shkelen afatet kushtetuese, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i interesuar që të shtyhen sërish zgjedhjet në Veri.

Frika e një eskalimi eventual ka bërë që Kurti të kërkojë nga presidentja ri-shtyrje, deri në një moment më të përshtatshëm dhe me më pak tension.

Çfarë ndodhi?

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

Nëse mbahen zgjedhjet në Veri, “99% e serbëve do t’i bojkotojnë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore