Libra

Themeluesi i logjikës


Aristotle, Organon

Një prej arritjeve më të mëdha të botës antike greke, krejtësisht pa paraardhës, është themelimi i shkencës së Logjikës nga Aristoteli.

Aristoteli duke qenë një mendimtar i cili të gjitha mendimet i fuste nën rend, rregull dhe koherencë, s’është e panatyrshme që edhe do të themelonte “shkencën ose instrumentin e të menduarit të drejtë”, Logjikën, si instrument dhe metodë për korrigjimin e mendimit.

Mësusesi i tij i Platonit, ishte një mendje kaotike e poetike, që shpesh fjalitë e tij i mbushtte me mjegulla mistike, duke e vendosur elementin estetiko-poetik mbi përmbajtjet analitike.

Pikërisht për këtë qëllim Organoni i logjikës së Aristotelit, u bë farkëtuesi dhe farkëtari i të menduarit të drejtë, të saktë, brenda disiplinës të së vërtetës.

Logjika e Aristotelit, sado e dalë mode që mund të duket, është ende ndër ne, dhe që qëndron si fosil i rrënjësor e i pavërejtshëm në mendimet, të folurit, e të mësuarit tonë. Është e patejkaluar dhe e patejkalueshme, për arsye se metodat e tij stritkte të mënyrës se si duhet të arsyetohet, kanë rritur dhe ushyer që në foshnjëri intelektin evropian, deri në maturinë e shkencës bashkëkohore.

Por pse është logjika shkencë?

Logjika është shkencë sepse në një masë të konsiderueshme proceset e të menduarit mund të përkthehen në rregulla si të fizikës e gjeometrisë, dhe t’i mësohen edhe mendjeve më të patrajnuara në të menduarit logjik.

Logjika është zanat ose shkathtësi e mendimit për shkak se praktikën që rrënjosë në mendje, deri në atë pikë ku e udhëzon mendimin se si duhet të mendojë drejtë dhe saktë, dhe e çon atë në një nivel të njëjtë sikurse gishtat e një pianisti të aftë që s’shohin cilat taste të pianos po i luajnë, gjersa luajnë kryevepra muzikore.

S’ka asgjë më bajate e më të thatë se logjika, ndoshta, por ama as më të rëndësishme, jo.

Gjurmë të logjikës gjejmë edhe te këmbëngulja e rreptë e Sokratit ndaj bashkëbiseduesve të tij që ti definojnë qartazi termat që përdornin, ose edhe te rafinimi i vazhdueshëm që Platoni i bën secilës fjalë.

Njëjtë sikurse thoshte edhe filozofi i madh francez, Volteri, “Nëse dëshiron të bisedosh me mua, së pari mi defino termat”.

Kjo në fakt edhe është bërthama e logjikës, që secila fjalë, term, definicion, duhet ti nënshtrohet një skrutinimi të thellë, dhe se deri sa s’e kemi arritur qartësinë e termeve s’mund të vazhdojmë me diskurs. Është gjëja më e vështirë në fakt.

Si i definon Aristoteli termat?

Aristoteli thotë se një definicion, për të qenë i shëndoshë, duhet të qëndrojë mbi dy baza: së pari duhet që objektin në fjalë ta klasifikojmë brenda një klase ose grupi karakterstikat e përgjithshme të së cilave janë edhe të objektit në fjaë – kështu që ‘njeriu’, në rend të parë, për shembull, është kafshë; dhe në rend të dytë objekti në fjalë të kategorizohet brenda një klase me të cilën dallohet nga të gjitha objektet e tjera në atë klasë – pra, ‘njeriu’, në këtë klasë aristoteliane është ‘kafshë racionale’, pra kjo është ‘dallimi i tij specifik’.

Aristoteli e hedh një objekt brenda një klase, dhe e nxjerrë atë të stërmbushur me kuptime gjenerike, që i përcaktojnë llojin dhe grupin.

Pas këtyre definimeve minimale logjike, Aristoteli e hedh betejën mbi ‘universalet’ dhe ‘partikaluret’ ndaj mentorit të tij, Platonit.

Universalet dhe Partikularet

Universalet te Artistoteli janë emra të zakonshëm të cilat kanë aplikueshmëri universale për anëtarët e asaj klase: kafshë, njeri, libër, pemë. Por këta universale janë nocione subjektive, jo realitete objektive të prekshme. Ata janë ‘nomina’ ose ‘emra’ jo ‘res’ ose ‘gjëra’; jashtë nesh ka vetëm objekte individuale dhe specifike; po njeriu-në-përgjithësi, ose njeriu universal, ai nuk ekziston, ai ekziston vetëm në mendim; ai është vetëm një abstraksion mendor, e prezencë eksternale ose re-alitet.

Për Platonin universalet kishin realitet dhe qëndrueshmëri, sepse, gjërat individuale vijnë e shkojnë, kurse universalet janë përgjithmonë. Kjo edhe është një prej debateve më të mëdha në filozofinë perëndimore.

Siç kishte thënë edhe vetë te vepra e tij “Etika e Nikomahut” për mësuesin e tij të madh.

“Unë Platonin e dua shumë, por të vërtetën edhe më shumë”.

Ndërsa gjurmët e kësaj arrijnë deri te një prej kontributeve më të mëdha që Aristoteli i ka lënë filozofisë.

Doktrina e silogjizmit

Silogjizmi është një treshe e propozicioneve në të cilat e treta (konkluzioni) rrjedh nga pajtimi i dy premisave tjera (premisa minore dhe mazhore). Shembull: njeriu është kafshë racionale, Sokrati është njeri, prandaj, Sokrati është kafshë racionale.

Shprehur në formë simbolike: nëse A është B, dhe B është C, atëherë edhe A është C.

Aristoteli ka formuluar konsitencën teorike konform logjikës natyrore të njeriut, dhe të të gjitha debateve dialektike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore