Lajme

“Thaçi thikat mbi harta, Kurti thikat pas shpine”, kritika e ish-zëvendëskryeministrit nga Vetëvendosja


Albin Kurti dhe Haki Abazi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje që së fundmi u shkarkua me votën e bashkëpartiakëve të tij nga pozita e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, Haki Abazi, ka vazhduar lumin e kritikave ndaj Qeverisë së Kosovës.

Abazi, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka shkruar se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka thikat pas shpine, sikur në një kohë që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i kishte thikat mbi hartë.

“Në fund Lajçaku fajtori kujdestar, e ne të gjithë figura historike edhe Oliver Ivanoviçi, bashkë me të gjithë krijuesit e shoqërisë multi në Kosovë”, ka shkruar Abazi fillimisht.

Sipas tij institutet që konstatojnë gjendje – duke aluduar tek Indeksi i fundit i publikuar nga instituti suedez V-dem i cili kishte renditur Kosovën tri pozita më lartë në Indeksin e Demokracisë Zgjedhore të vitit 2023 – janë altoparlant për justifikim të dështimit.

Sipas Abazit, çështja në Kosovës është serioze dhe se kosovarët po “ikin nga të mirat, mirëqenia e respekti” utopik i proklamuar nga Lëvizja Vetëvendosje për profesionin e argatit në perëndim.

“Çështja është serioze, nuk bën me u zgërdhi, njerëzit po ikin nga të “mirat, mirëqenia dhe respekti”, po ikin e po i lënë punët e trojet e tyre për profesionin e argatit në perëndim, atje ku i shërbehet parajsës së zotnisë sepse nuk duan të jenë dëshmitarët e zhgënjimit dhe falsifikimit të historisë para syve të tyre!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore