Biznes

Tesla raporton rritje të fitimeve, por jo vetëm nga shitjet e makinave


Kompania e automjeteve elektrike e Elon Musk, Tesla, shënoi një fillimviti të mbarë, me fitime dhe shitje rekord të makinave.

Fitimet për tremujorin e parë të vitit ishin 438 milionë dollarë nga 16 milionë vitin e kaluar, mbështetur edhe nga shitjet e Bitcoin apo politikat mjedisore.

Të ardhurat kapën shifrën e 10.4 miliardë dollarëve, nga 6 miliardë dollarë në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Musk pretendoi se “Model 3” i Tesla-s, për tremujorin e parë të 2021-shit, ishte “vetura luksoze më e shitur në botë”.

Ai gjithashtu parashikoi që modeli “Model Y” do të bëhet makina më e shitur e çdo lloji, në vitet e ardhshme.

“Kemi parë një ndryshim të vërtetë në perceptimin e konsumatorëve për automjetet elektrike dhe kërkesa jonë është më e larta që kemi parë ndonjëherë”, tha Musk.

Një zëdhënës për kompaninë tha se Model Y, deri tani kishte marrë pëlqime të shumta nga konsumatorët në Kinë, ku Tesla filloi prodhimin vitin e kaluar.

Kina është ndoshta tregu më konkurrues në botë për automjete elektrike. Qindra prodhues garojnë për një pjesë të tregut që rritet çdo ditë e më shumë.

Vendimi për Bitcoin

Sidoqoftë, jo të gjitha të ardhurat e kompanisë erdhën nga shitja e makinave.

Tesla bleu 1.5 miliardë dollarë vlerë Bitcoin-i gjatë tremujorit të parë dhe, më pas, shiti 10% të tyre, të cilat kontribuuan me 101 milionë dollarë në të ardhurat e kompanisë.

Tesla, së fundmi, bëri të mundur që klientët të blinin makina me Bitcoin, duke e lejuar atë të grumbullojë më shumë kriptovaluta.

“Qëllimi ynë është të mbajmë ato që kemi dhe të vazhdojmë të grumbullojmë Bitcoin nga transaksionet e klientëve tanë, ndërsa ata blejnë automjete”, u tha investitorëve, shefi financiar i kompanisë, Zachary Kirkhorn.

Tesla gjithashtu fiton pikë krediti për performancën shumë të mirë në minimizimin e emetimeve dhe përdorimit të naftës. Këto pikë krediti, kompania ua shet prodhuesve të tjerë të makinave që nuk arrijnë standardet e vendosura, në mënyrë që të shmangin ndëshkimet.

Në tremujorin e parë, kompania fitoi 518 milionë dollarë nga shitjet e kredive, një rritje prej 46% krahasuar me të njëjtën periudhë në 2020-ën.

Sipas raportimeve, Tesla kishte dorëzuar afërsisht gjysmë milioni makina në vitin 2020 dhe 185 mijë në periudhën janar-mars.

Kompania pret që dërgesat e saj të rriten me 50% në vit, dhe po rrit prodhimin në fabrikat e saj ekzistuese në Kaliforni dhe Shangai ndërsa po ndërton të reja Berlin dhe Teksas.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore