Lajme

“Terminologjia e përdorur në marrëveshjen për të pagjeturit tenton revizionimin e historisë”


Abit Hoxha, Ligjërues në Universitetin Adger

“Duke mos përdoru terminologjinë e duhur, Serbia tenton të bëj revizionizëm historik të ngjarjeve që kanë ndodhur dhe kanë dëshmi për dhunën. Që nga nesër, mund të fillojë edhe një narracion i ri, i personave të zhdukur dhe personave të zhdukur me forcë. Këtu është edhe qëllimi”, vlerëson Abit Hoxha, ligjërues në Universitetin Adger, por që për tre vite shërbeu dhe dha kontributin e tij në zyrën për persona të zhdukur në Kosovë, në Kuadër të UNMIK-ut në Kosovë, si zyrtar për komunikim me familjet.

Duke analizuar marrëveshjen e arritur një ditë më parë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për çështjen e personave të pagjeturve/personave të zhdukur me dhunë nga Kosova gjatë luftës 1998-2000, Hoxha thotë se “në aspektin politik, tentimi me heqë fjalën zhdukje e dhunshme është tentim definitivisht për të rishkruar historinë në Kosovë dhe për të reduktuar numrin e dhunës, peshën e dhunës”, ka thënë Hoxha në një prononcim për Albanian Post.

“Në Kosovë ka persona të zhdukur me forcë, forcën e organizon shteti. E nëse thuhet veç persona të zhdukur, atëherë ata nesër mund të thonë, po ‘janë persona të zhdukur, i kemi gjetur në Serbi, por ne nuk kemi të bëjmë asgjë me ta, dikush i ka zhdukur por ne nuk e dimë kush’”.

Për Hoxhën, përdorimi i duhur i terminologjisë, sipas konventave humanitare ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm për Kosovën në hapat e mëtejmë.

“Nesër, kur Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, i shteron mundësitë përmes gjykatave të Kosovës për të akuzuar shtetin e Serbisë, psh reparacione të luftës, nëse e akuzon Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejta të Njeriut në Strazburg, mund ta akuzoj për djegie të shtëpisë psh dhe vrasje të prindit, dhe pastaj Serbia detyrohet të paguaj komplet shkollimin/edukimin prej vitit 1999 komplet, sepse ja ka mbytur shtyllën e familjes. Kjo mund të bëhet si padi private, kur Kosova të bëhet anëtare”, thotë Hoxha.

“’Zhdukje me forcë’ bën vetëm shteti, ‘zhdukje’ bën mafia, mafia nuk bën zhdukje me forcë sepse nuk e ka monopolin e forcës.

Çështja është këtu, që për veç ‘të zhdukur’, Serbia nesër mund të thotë, që ka pasur njësi paramilitare, ka pasur njerëz të cilët Millosheviçi i ka lëshuar nga burgu, kanë shkuar në Kosovë, kanë vra njerëz, ne s’kemi pas çka me bë, kjo është e tëra”.

“Për t’i ikë përgjegjësisë penale dhe historike. Kontrolli i narrativit është shumë me rëndësi për Serbinë”, specifikon Hoxha.

Për më tepër çështja e personave të zhdukur me forcë në Kosovë, ka qenë e ndjekur me shumë probleme që nga fillimi, tregpn Abit Hoxha nga përvoja e tij në zyrën për persona të zhdukur në Kosovë, e cila funksionoi në Kuadër të UNMIK-ut.

“Një kohë, familjarët as nuk janë pyet për ti varrosë artefaktet (rrobat, copat e granatave, mjetet të cilat gjenden në trupa) dhe ju është rekomanduar të varrosen me të mbeturat mortore. Natyrisht, kjo është bërë për të zvogëluar mundësinë e ndërtimit të kujtesës kolektive e institucionale për këto krime”, ka thënë Hoxha.

“Problemi tjetër ka qenë edhe fakti që shpesh-herë, shkaku i vdekjes së personave të zhdukur duke përfshi ata që janë gjetur në Batajnice, Petrovo Sello, Peruqac dhe varreza tjera masive ka qenë i pa determinuar”.

“Deri para disa vitesh, familjarët kanë marrë certifikata të vdekjes me shkakun e vdekjes të padeterminuar”, tregon ai.

Më tej, Hoxha thotë se shteti serb, gjithmonë ka krijuar barriera për çështjen e personave të zhdukur me force.

Tog fjalëshi i parë, “Forcibly disappeared”, të zhdukur me forcë, i cili është përdorur në marrëveshjen për të pagjeturit në mes të Kosovës dhe Serbisë, e për të cilin u dakorduan dy udhëheqësit e këtij dialogu, një ditë më parë në Bruksel, nuk ka ndonjë përkufizim të veçantë ligjor. Përdoret për të identifikuar viktimat e zhdukjes me forcë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që ata kanë përjetuar.

Ndërsa, ‘Enforced Disapperance’ Zhdukje e detyruar/me dhunë, trajtohet si shkelje specifike sipas ligjit ndërkombëtar, Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Dhunë (ICPPED), e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2006.

Pika 4 e Nenit 24 thotë “çdo Shtet Palë do të sigurojë në sistemin e tij ligjor që viktimat e zhdukjes me forcë të kenë të drejtën për të marrë dëmshpërblim dhe kompensim të shpejtë, të drejtë dhe adekuat”.

Menjëherë pas takimit, Bashkimi Evropian, ka publikuar deklaratën e marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur në Kosovë.

Nga ky dokument tashmë është bërë e qartë se Kosova ka hequr dorë nga termi “persona të zhdukur me dhunë”, term që njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmes së cilës terminologji familjarët e viktimave do të mund të kërkonin dëmshpërblim.

Marrëveshja iu referohet personave të zhdukur në luftën e fundit vetëm si Persona të Pagjetur, përveç në një vend ku thuhet “personat e zhdukur me forcë” që në anglisht është “forcibly disappeared”, çka përbën dallim nga sa ka dashur Kosova të jetë që ishte “enforced disappearance”.

Në fakt, termi “persona të zhdukur me dhunë (enforced disappearance)” ishte thënë nga pala serbe se është larguar, qysh kur u arrit pajtimi për marrëveshje në mes të Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviç, por qeveria e Kosovës kishte deklaruar se është vetëm propagandë serbe dhe se termi ka mbetur.

Deklarata zyrtare e publikuar nga BE, tashmë qartëson se terminologjia zyrtare do të jetë Persona të Pagjetur.

Kurti kishte qenë shumë këmbëngulës në termin “të zhdukur me dhunë”.

“Ata nuk janë zhdukur nga fatkeqësi natyrore”, kishte pohuar Kurti, duke treguar rëndësinë e përshkrimit të saktë.

Akoma nuk është bërë e ditur përse Kosova ka vendosur të heqë dorë nga qëndrimi i saj fillestar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore