Lajme

Tërmeti në Java të Indonezisë lë 162 të vrarë dhe qindra të plagosur


Në ishullin kryesor indonezian, Java, një tërmet ka lënë të vrarë të paktën 162 persona dhe ka plagosur qindra të tjerë.

Këtë e ka konfirmuar për median britanike “BBC” edhe guvernatori rajonal Ridwan Kamil.

Tërmeti me magnitudë 5.6 goditi qytetin Cianjur në pjesën perëndimore të Java-s, në një thellësi të cekët prej dhjetë kilometrash.

Sakaq, dhjetëra njerëz u dërguan në spital.

Gjatë natës, ekipet e shpëtimit punuan në përpjekje për të shpëtuar të tjerët që mendohet se janë ende të bllokuar nën ndërtesat e shembura.

Zona ku goditi tërmeti është me popullsi të dendur dhe është një zonë e prirur për rrëshqitje dheu, me shtëpi të ndërtuara keq e të kthyera në rrënoja në shumë zona.

Për sa i përket numrit të saktë të vdekjeve ka raportime kontradiktore dhe është e vështirë të merret një shifër përfundimtare teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

Më herët, Agjencia Kombëtare e Indonezisë për Zbutjen e Fatkeqësive (BNPB) ka njoftuar se të paktën 62 persona kishin vdekur.

Kurse Kamil ka zbuluar se më shumë se 13 mijë njerëz janë zhvendosur. Guvernatori ka thënë më herët se më shumë se 700 njerëz janë plagosur dhe se mbi 2 mijë e 200 shtëpi janë dëmtuar.

Sipas tij, numri i të plagosurve dhe viktimave ka të ngjarë të rritet sepse ka ende “shumë njerëz” të bllokuar në vendngjarje.

Herman Suherman, kreu i administratës në qytetin Cianjur, ka treguar se shumica e lëndimeve ishin fraktura të kockave.

“Ambulancat vazhdojnë të vijnë nga fshatrat në spital. Ka shumë familje në fshatra që nuk janë evakuuar”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, shumë nga të plagosurit janë trajtuar jashtë në parkun e makinave të spitalit pasi spitali mbeti pa energji për disa orë pas tërmetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore