Shqipëria

Tensionimi në Veri nuk i shërben procesit të normalizimit të marrëdhënieve, sipas Nikollës


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka reaguar pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës duke i bërë thirrje palëve që t’i kthehen dhe të vazhdojnë me dialogun.

“Tensionimi i situatës në Veri të Kosovës nuk i shërben avancimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kosova dhe Serbia, me mbështetjen e miqve e partnerëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, kanë hyrë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe duhet të vazhdojnë këtë dialog. Kjo është e vetmja rrugë drejt njohjes së ndërsjellë, zhvillimit, demokracisë, paqes e bashkëpunimit në rajon”, shkruan Nikolla.

Më herët, reagoi edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke bërë thirrje që të “mos ecet më tej në këtë shteg”, ndërsa i bashkohet apelit të ndërkombëtarëve – SHBA-ve dhe BE-së.

“Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruante kreu i Qeverisë.

“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?!”, pyet ai.

“Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!”, theksonte Rama duke kujtuar edhe reagimet e SHBA-ve dhe BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore