Lajme

Tensionet në Veri, diplomati italian: Serbia është humbësja më e madhe


Luca Gori

Ambasadori italian në Beograd, Luca Gori, ka thënë se situata aktuale në Veri të Kosovës është e tensionuar, por në këtë kontekst Serbia, sipas tij, humb më së shumti nga destabiliteti.

“Situata në terren është e tensionuar dhe siç e dini duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në dhënien e deklaratave të duhura. Serbia ka shumë për të humbur nga destabiliteti që mund të lindë si rezultat i tensioneve”, theksoi ai para gazetarëve në Romë.

Janë bërë dy javë që nga vendosja e barrikadave në Veri të Kosovës, me vendosjen e tyre praktikisht gjithçka u bllokua, meqë edhe pikat kufitare në Jarninjë dhe Bërnjakë janë mbyllur.

Gjatë këtyre ditëve, sulme të shumta ka pasur edhe ndaj gazetarëve të cilët kanë raportuar nga vendi i ngjarjes, por sipas raportit të Policisë së Kosovës janë sulmuar edhe dy fëmijë nga bandat kriminale.

Ndryshe, zona e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore është cilësuar si njëra nga pikat më të brishta në Ballkanin Perëndimor me potencialin për ta kërcënuar sigurinë e rajonit.

Me rritjen e ekstremizmit të djathtë dhe nacionalizmit serb, kjo pjesë, së bashku me Republikën Srpsa në Bosnjë dhe Hercegovinë mbeten më të rrezikuarat për shkak të përpjekjeve hegjemoniste të Serbisë për destabilizim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore