Lajme

Tensionet në Ukrainë: NATO dërgon anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore


Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) ka njoftuar se do të dërgojë anije shtesë dhe avionë luftarakë në bazat ekzistuese në Evropën Lindore.

Ndër të tjera, organizata deklaron në reagimin zyrtar se do të vendosë edhe trupa shtesë në gatishmëri.

Kjo, ndërsa tensionet në Ukrainë përshkallëzohen.

Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se masa është krijuar për të rritur parandalimin dhe mbrojtjen në Evropën Lindore.

Sekretari shtoi se NATO “gjithmonë do t’i përgjigjet çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

“NATO do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur dhe siguruar të gjithë aleatët, duke përfshirë edhe përforcimin e pjesës lindore të Aleancës”, tha Stoltenberg në një deklaratë zyrtare.

Aleanca vuri në dukje vendimet e ditëve të fundit nga Danimarka për të dërguar një fregatë dhe avionë luftarakë në Baltik.

Ndërkaq, Spanja forcoi vendosjet e saj detare dhe Holanda vendosi një “anije dhe njësi me bazë tokësore në gatishmëri” për forcën e saj të reagimit të shpejtë.

Në përgjigje, ligjvënësi rus Andrei Kartapolov, i cili kryeson komitetin e mbrojtjes të parlamentit rus, tha se vendi do të “përgjigjet në mënyrë të përshtatshme”.

Kjo, në rast se më shumë personel ushtarak amerikan do të vendoset në Evropën Lindore dhe në rajonin Baltik, sipas Ifax-it.

SHBA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po shqyrton vendosjen e disa mijëra trupave amerikane, si dhe anijeve apo avionëve luftarakë në vendet aleate të NATO-s në Baltik dhe Evropën Lindore.

Referuar zyrtarëve të administratës amerikane, e përditshmja prestigjioze “New York Times” flet për një zgjerim të përfshirjes ushtarake amerikane.

Kjo, mes frikës në rritje të një inkursioni rus në Ukrainë.

Veprimi shihet si një sinjal për administratën Biden, e cila deri vonë po mbante një qëndrim të përmbajtur ndaj Ukrainës.

“Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin ka shtuar veprimet e tij kërcënuese ndaj Ukrainës dhe bisedimet midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë nuk kanë arritur ta dekurajojnë atë, administrata tani po largohet nga strategjia e saj ‘mos provoko’”, ravijëzon NYT-ja.

16 qershor 2021, Presidenti Joe Biden dhe Presidenti rus Vladimir Putin, mbërrijnë për t’u takuar në “Villa la Grange”, në Gjenevë, Zvicër.
Plani

Gjatë një takimi të së shtunës, zyrtarë të lartë të Pentagon-it i paraqitën Biden-it disa opsione.

Ata kërkojnë zhvendosjen e aseteve ushtarake amerikane shumë më afër pragut të Putin-it, thanë zyrtarët e administratës.

Opsionet përfshijnë dërgimin e një mijë deri në pesë mijë trupa në vendet e Evropës Lindore, me potencialin për ta rritur atë numër dhjetëfish nëse gjërat përkeqësohen.

Në rast të një pushtimi rus në shkallë të plotë, raporton NYT-ja, SHBA-të synojnë të largojnë shpejt trajnerët e tyre ushtarakë jashtë vendit.

Por është e mundur që disa amerikanë mund të qëndrojnë për të këshilluar zyrtarët ukrainas në Kiev, tha një zyrtar amerikan.

Situata në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë ka marrë vëmendjen e zhvillimeve globale.

Kjo, sidomos pas lajmit të evakuimit të personelit jo-thelbësor nga Ambasada Amerikane në Kiev. Gjermania gjithashtu po përgatit evakuuim të personelit të saj diplomatik.

Apo me dorëheqjen e shefit të marinës gjermane, Kay-Achim Schönbach pas komenteve për presidentin rus Vladimir Putin dhe krizën në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore