Shqipëria

Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit, SPAK jep pretencën për zyrtarët e Ministrisë së Brendshme


Prokuroria e Posaçme (SPAK), të premten e 3 dhjetorit ka shpallur pretencën për tetë zyrtarët që abuzuan me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

SPAK-u ka kërkuar që të tetë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të dënohen me 1 vit e 6 muaj burg.

Po ashtu organi i akuzës ka kërkuar si masë plotësuese heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë trevjeçare.

Aktualisht për shtatë nga zyrtarët është masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa për njërin prej tyre “arrest shtëpie”.

Të gjithë të dyshuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

SPAK-u ka njoftuar se shkeljet janë realizuar nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit. Përkatësisht shtetasit Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani.

Gjithashtu në shkelje rezultojnë të kenë qenë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Kreshnik Bejkaj, Faymir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj.

Të gjithë këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Ish-deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Halit Valteri, i cili bashkë me kolegun Myslim Murrizi, në gusht të vitit 2020, e patën denoncuar rastin pranë SPAK-ut.

Tashmë vendimi përfundimtar i përket Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore