Shqipëria

“Tempulli”, Balla: Mbi 1 mijë të arrestuar prej shtatorit 2023


Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh sot se operacioni i madh antidrogë “Tempulli” i nisur që prej shtatorit 2023, ka dhënë frytet e veta.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla shkroi se “Operacioni Kombëtar kundër lëndëve narkotike “Paketa e Sigurisë në shkolla” vijon çdo ditë me rezultate të mirëpritura në favor të jetës dhe shëndetit të nxënësve dhe të të rinjve”.

Sipas Ballës, që prej kësaj periudhe janë arrestuar shpërndarës të shumtë të lëndëve narkotike nëpër shkollat e vendit. Ai shton se janë sekuestruar gjithashtu mbi 18 kg kokainë, duke mbrojtur shëndetin e nxënësve.

“Prej shtatori 2023, “Tempulli” ka rezultat: 1100 persona të arrestuar/të proceduar në tentativë për shitje të lëndëve narkotike, dhe janë sekuestruar rreth 1600 kg cannabis, mbi 18 kg kokainë, 12 kg heroinë etj”, tha ai.

Balla përgëzoi Policisë dhe Prokurorisë Tiranë për goditjet e sistematike të tentativave për futje të lëndëve narkotike nga jashtë vendit përmes postës.

“Do të bëjmë gjithçka të përmbushim pritshmëritë e prindërve dhe gjyshërve që tempulli i dijes, shkolla, të mbetet e sigurtë dhe mos të lejojmë depërtimin e fenomeneve negative që cenojnë jetën dhe shëndetin e tyre”, u shpreh Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore