Shqipëria

Telefonata e fundit përpara vrasjes në Fushë-Krujë, Vata e dinte se po ndiqeshin


Detaje të tjera tronditëse janë zbuluar nga atentati në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku të vrarë mbetën Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.

Sipas dëshmive të para të familjarëve, Dikler Vata ka folur në telefon me ta përpara vrasjes dhe i ka bërë me dije se vetura me të cilën po udhëtonin, po ndiqej nga një mjet tjetër.

Gjatë një bisede telefonike me nënën dhe motrën e tij, Vata u ka pohuar se po ndiqeshin dhe çaste më vonë, ka ndodhur edhe atentati ku tre personat kanë mbetur të vrarë.

Po ashtu, Policia ka arritur të zbulojë edhe itinerarin që treshja përshkroi gjatë ditës.

Gjatë paradites, ata kanë qenë në një lokal në Rinas. Ndërsa, në mesditë, në një restorant të njohur në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Aty kanë parkuar mjetin të tipit “Volkswagen Passat” e më pas, me një mik tjetër, i janë drejtuar një servisi ku kishin dërguar një mjet tjetër për riparim.

Duke qenë se ky i fundit nuk ishte bërë gati ende, ata janë rikthyer për të rimarrë “Passat-in” tek restoranti dhe më pas, kur janë nisur drejt Fushë-Krujës, janë ndeshur me breshërinë fatale të plumbave.

Mbi identitetin e autorëve ndërkohë asgjë nuk dihet.

Teksa, një shpërblim prej 3 milion lekësh, është aktiv për çdo informator.

Si u zhvillua ngjarja?

Ora do të shënonte rreth 14:40, të dielën e 17 korrikut 2022.

Një automjet me xhama të errët, i tipi Volkswagen Passat, iu afrua një automjeti tjetër në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë-Krujës.

Me të parakaluar, rroga iu bllokua automjetit tjetër dhe tre persona (të paktën kështu mendohet), dolën nga Volkswageni dhe goditën me breshëri automatiku drejt veturës tjetër.

Dy persona mbetën të vdekur të vend. Një tjetër, arriti të shpëtojë momentalisht dhe doli nga automjeti. Dhjetë metra në distancë, një tjetër breshëri automatiku e la të vdekur në vend, në mes të rrugës.

Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes, në drejtim të fshatit Larushkë, pranë Fushë-Krujës, ku u gjet i djegur mjeti i tyre me brenda dy armë të llojit Kallashnikov dhe një tjetër e llojit automatik.

Në veturën e sheshuar nga plumbat në rrugën e Fushë-Krujës, mjeti pati marrë flakë dhe dy trupat brenda tij, i shkrumboi.

Viktima i shtrirë përtokë, u identifikua menjëherë si Diklen Vata, person me precedentë kriminalë.

Pak minuta më vonë, erdhi edhe një lajm tjetër.

Dy personat e shkrumbuar brenda mjetit ishin Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj.

Ky i fundit, tepër i njohur në botën e krimit, mbi të gjitha, sepse ishte familjar i afërt i një emri edhe më të dëgjuar për krimin shqiptar, atë të Ervis Martinajt.

Njerëzit pranë këtij të fundit, sërish, kishin rënë pre e një atentati.

Kush ishte Brilant Martinaj?

Brilanti ishte vetëm 22-vjeçar, por mbi supet e tija rëndonin dy akuza shumë të rënda, të cilat e kishin kthyer edhe në një person të shumëkërkuar nga Policia e Shtetit dhe gjithashtu nga Interpoli, pasi ishte shpallur person në kërkim.

Dy vrasje, mendohet se kanë pasur implikimin direkt të Brilant Martinajt. Të dy vrasjet, ndaj dy efektivëve të Policisë.

I pari, është rasti i ish-efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela, i cili është ekzekutuar nga Brilant Martinaj më 29 dhjetor 2021.

Po ashtu, Martinaj mendohet se ka vrarë edhe ish-policin Xhelal Reçi, në Laç, përpara një banke të nivelit të dytë, në nëntor 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore