Kosova

Tejet i zhgënjyer me mosmiratimin e Kodit Civil, edhe ambasadori britanik


Nicolas Abbott

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, është shprehur shumë i zhgënjyer me mosmiratimin e Projektkodit Civil, të mërkurën në Kuvendin e Kosovës, i cili mes tjerash përmbante edhe një nen që hap rrugën për ligjin që do të rregullonte bashkëjetesën dhe martesën e personave me gjini të njëjtë.

Abbott ka kërkuar që të respektohen të drejtat e komunitetit LGBTI+.

Ambasadori britanik është i dyti pas Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, që ka shprehur keqardhje për moskalimin e Kodit Civil.

“Shumë i zhgënjyer që Kodi Civil nuk u miratua dje. Është e rëndësishme që gjuha, në Kod dhe në debat, të respektojë të drejtat e njeriut të të gjithë kosovarëve, përfshirë LGBTI+, në përputhje me Kushtetutën”, ka shkruar Abbott në rrjetin e tij social Twitter.

Ndryshe ligjvënësit e Kuvendit të Kosovës nuk ia kanë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës.

Në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, ndërsa 16 prej tyre nuk morën pjesë fare në votim.

Nga 61 deputetët, të cilët votuan, vetëm 28 prej tyre kanë votuar pro, ndërsa kundër 29.

E në anën tjetër katër deputet kanë abstenuar.

Arsyeja e kundërshtimit të Projektkodit të ri Civil edhe nga deputetët e shumicë ishte një nga nenet, i cili hapë rrugën për ligjin që lejon martesat e gjinisë së njëjtë.

Ndryshe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në foltoren e Kuvendit, duke e arsyetuar Kodin Civil, ka kërkuar nga ligjvënësit që të votojnë atë.

Sipas Kurtit, në kodin civil është rregulluar pjesa statusore e personave fizik, dhe se si risi është ndalimi i martesave të hershme.

“Janë rregulluar punët juridike kontratat, testamentet. Te familja, këtu duhet të theksojmë dy çështje të rëndësishme, është pasuria e përbashkët është caktuar të jetë e barabartë. Këtu risi është edhe ndalimi i martesave të hershme. Është një pikë e rëndësishme gjithashtu që është diskutuar e keqkuptuar që ka të bëjë me regjistrimin e bashkësive civile të personave me gjini të njëjtë. Në fund të fundit të drejtat e njeriut janë të drejtat e të gjithë njerëzve”, ka thënë ai.

Sipas tij, me këtë kod është paraparë mundësia që personat të të njëjtës gjini të regjistrohen si bashkësi civile dhe se kodi nuk e ka rregulluar martesën mes tyre.

“Ajo do të rregullohet me një ligj të veçantë. Kodi nuk është i mjaftueshëm kjo është në pajtim edhe me kushtetutën. Kodi nuk rregullon martesat. Martesa dallon nga Bashkësia civile sepse kjo mundëson vetëm bashkëjetesën dhe jo format tjera”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore