Lajme

Të themelohet Asociacioni, pastaj kthehemi në institucionet e Kosovës, thotë Simiç


Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kusht për Qeverinë e Kosovës në mënyrë që serbët të kthehen në institucione.

“Largimi nga institucionet e Kosovës u bë për ta dëgjuar britmën e popullit serb për problemet me të cilat po ballafaqohemi në terren, në mënyrë që dikush në Prishtinë dhe në Bruksel të kuptojë se serbët nuk mund dhe nuk duan të vuajnë”, tha Simiç.

“Ajo që funksionon pjesërisht është komuna e Mitrovicës së Veriut, në të cilën ka mbetur staf i nacionalitetit shqiptar dhe boshnjak, por me kapacitete të kufizuara”.

Ai ka theksuar se kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk është i kushtëzuar nga tekat e popullit serb apo ndonjë dëshirë joreale.

“Është e qartë se edhe pas 15 viteve të shpalljes së pavarësisë, institucionet e Kosovës nuk kanë treguar mundësinë, aftësinë dhe vullnetin për t’iu përgjigjur nevojave të popullit tonë”, shtoi ai.

Simiç është pyetur edhe nëse ka ndonjë komunikim me dikë nga Qeveria e Kosovës, por ky i fundit ka theksuar se “në këtë moment jo”.

“Edhe pse qindra herë kemi treguar se jemi gati të bisedojmë dhe jemi gati të zgjidhim çështjet e hapura së bashku, të përmirësojmë jetën e të gjithë qytetarëve, kemi hasur në heshtje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore