Lajme

Të reshurat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, thotë Gjini


Ardian Gjini

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka reaguar pas vërshimeve që kanë përfshirë qytetin të cilën ai e drejton.

Sipas Gjinit, reshurat gjatë natës së mbrëmshme në Gjakovë, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në bodrumet e shtëpive dhe në rrugë publike.

“Nga vizitat në teren, në gjendje më të keqe janë: ura në Moglicë, rruga ‘Yllka Domi’, ‘Pika e Zezë II’, ‘Shote Galica’”, ka njoftuar ai.

Të gjitha ekipet emergjente, tregon Gjini, janë vënë në shërbim të qytetarëve për të ju dhënë ndihmë.

“Aktualisht nuk mund të vlerësojmë saktë dëmet materiale të shkaktuara, mirëpo ju lusim që të gjitha rastet ti raportoni në qendrën e thirrjeve 112, në të njëjtën kohë ekipet tona janë në teren”.

Kryetari i Komunës ka bërë të ditur se për të gjitha familjet e evakuuara nga shtëpitë e tyre si pasojë e reshjeve “do t’ju sigurohet strehimi”.

“Në këto momente do të përqendrohemi në  ndërhyrjet urgjente për shkak se mund të këtë reshje prapë”.

Ndryshe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook ka reaguar pas vërshimeve që kanë përfshirë qytetin që ai e drejton.

Latifi ka bërë thirrje për ndihmë meqë gjendja në terren është e rënduar.

“Si Kryetar i Komunës shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar dhe kërkoj ndihmë nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, e për t’i kompensuar dëmet e mëdha të cilat do të dihen pas vlerësimit nga ana e komisioneve tona”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas tij drejtoritë përkatëse, njësitë zjarrfikëse, Policia e Kosovës dhe ekipe të shumta vullnetare, janë duke punuar pandërprerë, në mbrojtje të qytetarëve si dhe për evitimin e rrezikut.

Çka po ndodh?

Reshjet e shiut të premten kanë shkaktuar vërshime në rajonin e Gjakovës dhe atë të Rahovecit.

Bazuar në videot që janë publikuar në rrjetet sociale, lumi Erenik në Gjakovë ka dalë nga shtrati.

Gjendje jo e mirë, siç përshkruhet në fotografitë e publikuara në rrjetet sociale, është edhe në shtëpitë e rrugët e qytetit.

Në Gjakovë po raportohet se uji ka hyrë në shtëpitë e shumë banorëve.

Situata e njëjtë është edhe në rajonin e Rahovecit.

Rahovecit është përfshirë nga vërshime të mëdha, çka ka bërë që rrugët të jenë ta pakalueshme si nga veturat, ashtu edhe nga këmbësorët.

Ndërkohë, në fshatin Sopniq të Rahovecit, uji ka mbuluar rrugën. Edhe në disa fshatra të kësaj komune janë raportuar për vërshime.

Vendi po përballet me shira të rrëmbyeshëm që nga mbrëmja e së premtes.

Një gjë të tillë ka paralajmëruar edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore