Lajme

Të paktën 632 viktima nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marokun


Një tërmet i rrallë dhe i fuqishëm goditi Marokun vonë të premten në mbrëmje, duke vrarë qindra njerëz dhe duke dëmtuar ndërtesa nga fshatrat në malet e Atlasit deri në qytetin historik të Marrakech-it.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Associated Press” dhe multimediali amerikan “CNN”.

Tërmeti ka vrarë të paktën 632 njerëz, duke plagosur më shumë se 320, duke dëmtuar ndërtesa dhe duke i detyruar banorët e tmerruar të largohen nga shtëpitë e tyre në rrugë për siguri.

Televizioni shtetëror i Marokut raportoi dyfishimin e numrit të viktimave të shtunën në mëngjes, duke cituar ministrinë e Brendshme.

Familjet e shqetësuara qëndronin në rrugë ose grumbulloheshin në trotuar, disa duke mbajtur fëmijë, batanije ose sende të tjera.

Punonjësit e urgjencës kërkuan të mbijetuar në rrënojat e ndërtesave, me jelekët e tyre të verdhë reflektues që ndriçonin peizazhin e natës.

Tërmeti hapi një vrimë në një shtëpi dhe një makinë pothuajse u varros nga copat e një ndërtese të shembur.

Shporta, kova dhe veshje mund të shiheshin mes gurëve të shpërndarë në mbetjet e një ndërtese.

Imazhe të tjera të shpërndara në internet treguan njerëz që vraponin dhe bërtisnin pranë xhamisë Koutoubia të shekullit të 12-të në Marrakech, një nga monumentet më të famshme të qytetit.

Mediat marokene raportuan se xhamia pësoi dëmtime, por shtrirja nuk ishte e qartë menjëherë. Minarja e saj 69 metra njihet si “çatia e Marrakech-it”.

Marokenët postuan gjithashtu video që tregojnë pjesë të mureve të kuqe të famshme që rrethojnë qytetin e vjetër në Marrakech, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të dëmtuara.

Kreu i një qyteti pranë epiqendrës së tërmetit i tha faqes marokene të lajmeve 2M se disa shtëpi në qytetet e afërta ishin shembur pjesërisht ose tërësisht, dhe në disa vende u ndërprenë energjia elektrike dhe rrugët.

Abderrahim Ait Daoud, kreu i qytetit të Talat N’Yaaqoub, tha se autoritetet po punojnë për të pastruar rrugët në provincën Al Haouz për të lejuar kalimin për ambulancat dhe ndihmën për popullsinë e prekur, por tha se distancat e mëdha midis fshatrave malore do të thotë se do të duhet kohë për të mësuar masën e dëmit.

Mediat lokale raportuan se rrugët që çojnë në rajonin malor rreth epiqendrës ishin të bllokuara me automjete dhe të bllokuara me gurë të shembur, duke ngadalësuar përpjekjet e shpëtimit.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-ve tha se tërmeti kishte një magnitudë paraprake prej 6.8 ballë kur ra në orën 23:11, me dridhje që zgjati disa sekonda.

Agjencia amerikane raportoi se një pasgoditje me magnitudë 4.9 u regjistrua 19 minuta më vonë.

Epiqendra e tërmetit të së premtes ishte afër qytetit Ighil në provincën Al Haouz, afërsisht 70 kilometra në jug të Marrakech-it.

USGS-ja tha se epiqendra ishte 18 kilometra nën sipërfaqen e Tokës, ndërsa agjencia sizmike e Marokut e vuri në 11 kilometra poshtë.

Tërmete të tilla të cekëta janë më të rrezikshme.

Tërmetet janë relativisht të rrallë në Afrikën e Veriut.

Lahcen Mhanni, Shef i Departamentit të Monitorimit dhe Paralajmërimit Sizmik në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës, tha për 2M TV se tërmeti ishte më i forti i regjistruar ndonjëherë në rajonin malor.

Në vitin 1960, një tërmet me magnitudë 5.8 goditi afër qytetin maroken të Agadir-it dhe shkaktoi mijëra të vdekur.

Tërmeti i Agadir-it shkaktoi ndryshime në rregullat e ndërtimit në Marok, por shumë ndërtesa, veçanërisht shtëpitë rurale, nuk janë ndërtuar për t’i bërë ballë lëkundjeve të tilla.

Në vitin 2004, një tërmet me magnitudë 6.4 afër qytetit bregdetar mesdhetar të Al Hoceima la më shumë se 600 të vdekur.

Tërmeti i së premtes u ndje deri në Portugali dhe Algjeri, sipas Institutit Portugez për Detin dhe Atmosferën dhe agjencinë e Mbrojtjes Civile të Algjerisë, e cila mbikëqyr reagimin emergjent.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore