Lajme

Të paktën 100 të vrarë dhe 300 të plagosur nga shpërthimet në Mogadishu


Të paktën 100 persona janë vrarë dhe 300 janë plagosur në dy shpërthime makinash bombë në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.

Lajmi u bë i ditur nga transmetuesi “Al Jazeera”, duke cituar presidentin somalez Hassan Sheikh Mohamud.

Mohamud fajësoi grupin e armatosur al-Shabab për sulmet dhe u tha gazetarëve të dielën se ai priste që numri i të vdekurve nga dy shpërthimet të rritet më tej.

Autoritetet vendase thanë se sulmi në një kryqëzim të ngarkuar kishte në shënjestër Ministrinë somaleze të Arsimit dhe një shkollë.

Sadiq Doodishe, një zëdhënës i policisë, u tha gazetarëve se gra, fëmijë dhe të moshuar ishin vrarë në sulm.

Agjencia shtetërore e lajmeve SONNA tha se gazetari i pavarur Mohamed Isse Kona u vra gjithashtu.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Somali dënoi “sulmin e egër” të së shtunës dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.

Turqia dënoi sulmin duke e konsideruar “të neveritshëm”, ndërsa Katari – duke hedhur poshtë me vendosmëri dhunën dhe “terrorizmin” – shprehu ngushëllimet e tij dhe u uroi të plagosurve një shërim të shpejtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore