Lajme

Të hënën fillon periudha e rivotimit përmes postës për kryetar të Dragashit


Ilustrim

Të hënën e 29 nëntorit do të fillojë periudha e përsëritje së votimit përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit.

Këtë e ka bërë të ditur Komisioni Qendror Zgjedhor përmes një njoftimi për media ku me tjerash ka bërë të ditur se periudha e rivotimit përmes postës për kryetar të Dragashit do të zgjas deri më 13 dhjetor të këtij viti.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.

KQZ ka njoftuar se të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1 mijë e 90 votues nga diaspora për komunën e Dragashit.

Behxhet Xheladini dhe Shaban Shabani

Ndryshe, Gjykata Supreme duke pranuar pjesërisht ankesën e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovë për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini ka urdhëruar KQZ të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, duke refuzuar kërkesën e Xheladinit që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.

Votat e diasporës në votimet e raundit të dytë për zgjedhjet lokale të 17 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash.

Pas numërimit të votave nga mërgata i pari në garë ka dalë Behxhet Xheladini nga LDK, ndërsa me vota të rregullta këtë komunë e kishte fituar kandidati për kryetarë të kësaj komune nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës,  Shaban Shabani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore