Lajme

Të folurit e dy gjuhëve që fëmijë mund të parandalojë demencën


Të folurit e dy gjuhëve ofron mundësinë për të bërë miq dhe për të punuar pothuajse kudo, veçanërisht nëse gjuha e dytë është anglishtja.

Por tani një studim i ri sugjeron se dygjuhësia mund të ketë edhe një përfitim tjetër: përmirësimin e kujtesës në jetën e mëvonshme.

Duke studiuar qindra pacientë të moshuar, një grup studiuesish gjermanë zbuluan se ata që raportuan se flisnin dy gjuhë çdo ditë që në moshë të re shënuan rezultate më të larta në testet e të mësuarit, kujtesës, gjuhës dhe vetëkontrollit sesa pacientët që flisnin vetëm një gjuhë.

Gjetjet, të botuara në numrin e prillit të Neurobiology of Aging, i shtohen dy dekadave të punës mbi këtë temë dhe sugjerojnë se dygjuhësia mbron nga demenca dhe degradimi konjitiv në jetën e mëvonshme.

Studimet jo gjithmonë koherentë

Vitet e fundit, shkencëtarët kanë fituar më shumë njohuri rreth dygjuhësisë dhe plakjes së trurit, megjithëse jo të gjitha gjetjet e tyre kanë qenë koherente.

Disa kanë zbuluar se nëse njerëzit që flasin rrjedhshëm dy gjuhë zhvillojnë demencë, ata do ta bëjnë këtë në një moshë më të madhe sesa njerëzit që flasin vetëm një gjuhë.

Por hulumtime të tjera nuk kanë zbuluar ndonjë përfitim të qartë të dygjuhësisë.

Neuroshkencëtarët spekulojnë duke argumentuar se meqë njerëzit dygjuhësorë ndërrojnë gjuhët rrjedhshëm, ata mund të jenë në gjendje të zbatojnë strategji të ngjashme në situata të tjera, të tilla si kryerja e shumë detyrave, menaxhimi i emocioneve dhe vetëkontrolli, të cilat ndihmojnë në vonimin e demencës me kalimin e moshës.

Sipas një studimi të botuar në Nature Neuroscience në 2018, dygjuhësia krijon një rezervë njohëse që mbron nga Alzheimer.

Një punë e vitit 2017 kishte nxjerrë në pah sesi dygjuhësia e bën trurin të jetë më përzgjedhës në burime: mendja e atyre që flasin dy gjuhë mëson të përqendrohet më shumë dhe më mirë dhe të kursejë burimet njohëse, duke përfaqësuar kështu një avantazh gjatë plakjes.

Studim i ri

Një studimi i ri mori në shqyrtim 746 njerëz të moshës 59-76 vjeç. Rreth 40% e vullnetarëve nuk kishin probleme me kujtesën, ndërsa pjesa tjetër ishin pacientë që kishin përjetuar konfuzion ose humbje të kujtesës.

Të gjithë iu nënshtruan testeve të ndryshme: fjalor, kujtesë, vëmendje dhe llogaritje.

Për shembull, atyre iu kërkua të kujtonin objektet e emërtuara më parë, të shkruanin fjalët mbrapsht, të ndiqnin komandat me tre pjesë dhe të kopjonin vizatimet që iu treguan.

Vullnetarët që raportuan se flisnin një gjuhë të dytë çdo ditë midis moshës 13 dhe 30 vjeç ose midis moshës 30 dhe 65 vjeç, shënuan rezultate më të larta në gjuhë, kujtesë, përqendrim, vëmendje dhe aftësi vendimmarrëse sesa jo-dygjuhëshit në ato mosha.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore