Lajme

Tajlandë, përkeqësohet shëndeti i studentëve që protestuan kundër Monarkisë


Protestat në Tajlandë, 6 mars 2021

Shëndeti i dy studentëve tajlandezë, të cilët u burgosën për udhëheqjen e protestave masive, ku bënin thirrje për reformë të monarkisë, të enjten e 29 prillit, është përkeqësuar, pasi kaluan deri në gjashtë javë në grevë urie.

Lajmin e kanë bërë të ditur avokatët e tyre.

Avokati i Parit Chiwarak, Kritsadang Nutcharat, i cili njihet me pseudonimin “Penguin” tha se ndiente lodhje, marramendje të vazhdueshme dhe nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë. Parit 23-vjeçar nisi një grevë urie më 15 mars për të protestuar kundër paraburgimit të tij.

Panusaya Sithijirawattanakul, 22 vjeçe, një figurë tjetër kryesore në lëvizjen protestuese, ka qenë në grevë urie që nga 2 prilli. Avokati i saj, Sirikan Charoensiri, tha se kishte përjetuar mpirje, por që atëherë kishte marrë pije rehidratimi.

Të dy po përballen me akuza të shumta, sipas ligjit të madhështisë (lese-majesty) së Tajlandës, pas rolit të tyre në protestat masive vitin e kaluar.

Kërkesat e protestuesve

Gjatë protestës, dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë, duke bërë thirrje për reforma në monarkinë e vendit.

Protestuesit, shumë prej të cilëve studentë të rinj, kanë kërkuar një familje mbretërore më të përgjegjshme dhe transparente, për të cilën ata thonë se nuk duhet të ndërhyjë në politikë.

Ata kanë bërë thirrje që buxheti i monarkisë të ulet, pasuria private e mbretit të ndahet nga pasuria e kurorës dhe që mbreti të heqë dorë nga kontrolli i disa regjimenteve të ushtrisë.

Sipas tyre, zhdukja ose vdekja e kritikëve të monarkisë duhet të hetohet dhe ligji që ndalon kritikat ndaj familjes mbretërore duhet të hiqet.

Me çfarë dënimi përballen studentët?

Parit përballet me 20 akuza, sipas ligjit të madhështisë, i cili mund të rezultojë në një dënim prej 300 vjetësh.

Panusaya përballet me nëntë çështje sipas ligjit, të cilat mund të çojnë në një dënim me 135 vjet nëse dënohet.

Nutcharat tha se kishte zhvilluar një telefonatë me video me klientin e tij të mërkurën, nga e cila ishte shumë i shqetësuar për shëndetin e tij.

Sipas avokatit, Parit gjithashtu nuk ishte në gjendje të flinte natën dhe kishte marrë pilula gjumi.

Departamenti i Korrektimeve tha në një deklaratë se gjendja e Parit është e normalizuar. Sipas tyre, ai ishte “vetëm duke shfaqur simptoma të lodhjes nga greva e urisë”.

“Po përgatitet një ekip mjekësor për të monitoruar gjendjen e tij. Nëse është e nevojshme ai do të dërgohet në spitalin e burgut”.

Gjendja e Panusaya “mbetet normale dhe nuk tregon lodhje nga uria”, tha deklarata.

Çfarë ka ndodhur në Tajlandë?

Sipas Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Tajlandë, që nga korriku i vitit të kaluar, të paktën 581 njerëz janë akuzuar në lidhje me aktivitetet politike dhe protestat.

Ato kanë të bëjnë me pjesëmarrje në tubime ose postime të komenteve mbështetëse në mediat sociale.

Të paktën 82 njerëz përballen me raste nën ligjin e madhështisë së Tajlandës.

Ligji thotë se kushdo që “shpif, fyen ose kërcënon mbretin, mbretëreshën, trashëgimtarin ose regjentin”, mund të përballet me deri në 15 vjet për çdo akuzë.

Ekspertët e të drejtave të Kombeve të Bashkuara kanë thënë më parë se ligje të tilla “nuk kanë vend në një vend demokratik”.

Kritsadang do të kërkojë lirimin me kusht për Parit përsëri gjatë ditës së enjte.

Por ai tha se nuk priste që ai të miratohej. Ai kishte humbur besimin në sistemin ligjor, pasi kishte refuzuar shumë kërkesa të mëparshme.

Të paktën 17 persona të akuzuar në lidhje me protestat janë në paraburgim pasi gjykatat refuzuan kërkesat për lirimin me kusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore