Lajme

Tahiri: Me presidenten s’do të kemi betejë politike, por kushtetuese


Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Sipas shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me mos-dekretimin e kryeprokurorit të Shtetit ka shkaktuar dy shkelje ligjore.

Tahiri, pas mbledhjes së kryesisë në një konferencë për media ka thënë se e para e shtetit e ka detyrim dhe jo diskrecion në këtë çështje zgjedhjen e kryeprokurorit.

“Presidentja e Kosovës, ka shkaktuar shkelje serioze në dy drejtime, e para duke mos e dekretuar për 18 muaj Kryeprokurorin e Shtetit dhe e dyta është në veprimin e saj të gabuar me mos dekretimin që besojmë që  ka tejkaluar kompetencat e saj. Ne besojmë që presidentja e Kosovës, s’ka diskrecion që të vendos në çështjen e kryeprokurorit të shtetit, është detyrim që ta konfirmoj zgjedhjen e tij”.

Ai tutje ka bërë të ditur se të martën do ta kenë draftin për shkeljet që janë bërë në këtë proces.

“Nga nesër, besoj që do ta kemi draftin tonë të gatshëm, ku i bazojmë shkeljet, ankesën tonë në Kushtetuese do ta kemi gati në fund të orarit dhe të njëjtin draft do ta qarkullojmë edhe me partitë e tjera parlamentare sepse duhen 30 deputetë”, tha ai para gazetarëve.

Tahiri, potencoi se javën e kaluar presidentja e Kosovës, i ka kërcënuar.

“Presidentja e Kosovës, javën e kaluar në një formë apo në tjetrën na kërcënoi apo na ftoi për çështjen e Kushtetuese tha se nëse e dërgoni hyni në një betejë politike edhe këtu ajo tregoi se nuk është e paanshme”.

“Për ne është e rëndësishme që ky rast të përfundoj në Kushtetuese sepse jemi të bindur që në dy drejtime ka shkelje kushtetuese”.

“Presidentes, s’do i japim betejë politike, por kushtetuese”.

Ai tutje ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit të së shtunës me top-diplomatët është dashur që të deklarohet para mediave

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ua ka pasur borxh qytetarëve të Kosovës një sqarim pas vizitës së diplomatëve, tash e tutje unë nuk e di se e kemi një qëndrim të qartë të kryeministrit pas këtyre kërkesave. E rëndësishme, tani është ta dimë se ku qëndron kryeministri i Kosovës, pas këtyre kërkesave dhe ku qëndron Kosova. Pra, ta kuptojmë pozicionin e kryeministrit”.

“Ne po kërkojmë hetim ndërkombëtarë, sa i përket sulmit terrorist të 24 shtatorit, për një muaj ne s’kemi parë asnjë veprim nga Qeveria e Kosovës për sulmin terrorist të 24 shtatorit”.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.

Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje, shumë prej tyre kanë mbetur pa u zbatuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore