Lajme

Tahiri: Kosova asnjë njohje as gjatë këtij vit


Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar diplomacinë e Kosovës dhe presidenten Vjosa Osmani për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se gjatë këtij viti Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të re.

“Gjatë vitit 2022, Kosova nuk ka pasur asnjë njohje të re, nuk është anëtarësuar në Këshill të Evropës, as në Interpol, nuk ka as liberalizim vizash e as status kandidati për BE, as anëtarësim në Partneritet me NATO-n, dhe për më keq, vet përbërja e shtetit tonë është bërë temë diskutimi në koncept nota e propozime”, ka shkruar Tahiri.

Kritika ka adresuar edhe ndaj presidentes Osmani për fjalimin e saj në Konferencën e Ambasadorëve.

“Ajo nuk dha asnjë shembull të vetëm sesi e ka përfaqësuar vendin në politikën e brendshme dhe të jashtme”.

“Presidentja Osmani iu dha leksion ambasadorëve të Kosovës, se si duhet të flasin e përfaqësojnë Kosovën, pa pasur t’iu japë as edhe një shembull të vetëm, se si ajo e ka përfaqësuar vendin, çka ka arritur e me çka është dalluar në politikën e brendshme apo të jashtme gjatë këtij viti, përveç mllefit që e përdorë si “armë” për të mbuluar deficitet politike”.

Qeveria aktuale e Kosovës, tash e dy vjet nuk ka arritur të sigurojë njohje të reja, por, e pyetur për këtë, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë muajit korrik kishte deklaruar në konferencë për media se për të njohjet nuk janë çështja më e rëndësishme dhe është fokusuar në të tjera gjëra.

“Ka një kohë që s’kemi njohje të reja. Por, njohja në vetvete nuk është elementi kryesor që e përcakton suksesin e politikes së jashtë të Kosovës”, kishte pohuar ajo.

“Jemi përqendruar fillimisht në forcimin e marrëdhënieve me shtetet që veç i kemi njohjet formale, por s’kemi pasur shkëmbim dhe marrëdhëniet nuk kanë qenë të materializuara”, shpalosi Gërvalla strategjinë e saj.

“Në politikën e jashtme të Kosovës nganjëherë marrëdhëniet edhe më të mira me shtetet përkrahës kanë më shumë peshë, se sa njohje të reja”.

Mungesa e njohjeve të reja për Kosovën nga qeveria aktuale është konsideruar si ngecje në punën e diplomacisë kosovare.

S’ka njohje te reja – “diplomacia kosovare ka dështuar”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore