Lajme

Tahiri ia kujton Kurtit kundërshtimin e LVV-së për shpalljen e pavarësisë së Kosovës


Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në fjalinë e tij në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka kujtuar rolin e miqve ndërkombëtarë, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet t’i ruajë aleatët “të cilët ndihmuan vendin në kohërat më të vështira”.

“S’mund të ketë festë pa falënderuar miqtë tanë. Populli jonë, kushdo që është në pushtet, nuk do ta kontestojë asnjëherë miqësinë me SHBA-në, BE-në dhe Britaninë e Madhe”.

Shumëkush, jo vetëm armiqtë e jashtëm, por edhe nga brenda, sipas Tahirit, nuk besuan që do të shpallej Pavarësia e Kosovës, duke ua kujtuar kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje – tash partia në pushtet – për shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008.

“Por SHBA-ja nuk na zhgënjeu, i zhgënjeu ata që ishin skeptikë për orientimin euroatlantik. Ky vend nuk meriton qeverisje që e fut vendin në sanksione”, ka thënë ndër të tjera ai.

Tahiri, në fjalën e tij ndër të tjera ka potencuar se ka qenë Hashim Thaçi ai që më 17 shkurt 2008 e ka shpallur pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij ndonëse Thaçi sot nuk e gëzon lirinë e Kosovës, vepra e tij “jeton edhe sot në Kuvend”.

“Ai që lexoi këto fjalë, nuk e gëzon lirinë e Kosovës, por vepra e tij jeton, prandaj sot jemi mbledhur që ta festojmë këtë vepër të tij historike”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se ata që po mbahen në burg në Hagë janë në betejë të madhe për drejtësi dhe për ta pastruar emrin e UÇK-së.

“Hashim Thaçi, Kadri veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi e shumë të tjerë janë në betejën e madhe për drejtësi për ta pastruar emrin e UÇK-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore