Lajme

Tadiç: Vuçiç s’e tha me vendosmëri në CNN që Serbia s’do ta njohë kurrë Kosovën


Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka komentuar intervistën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç të dhënë për prestigjiozen CNN të mërkurën.

“Pas fjalimit të tij në OKB vitin e kaluar, i është shmangur përgjigjes në pyetjen se çfarë i duhet Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, pra nuk tha me vendosmëri se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës”, tha Tadiç për mediumin serb Nova.rs.

“Kjo është shumë indikative për mua, nuk e ka thënë as në OKB, këtë nuk e ka thënë as në intervistën e CNN dhe kjo për mendimin tim nuk është mirë, sepse presidenti i Serbisë duke marrë parasysh kushtetutën, duke marrë parasysh politikën e vendit të cilën ai supozohet se e mbron, ai duhej ta thoshte këtë me vendosmëri”, tha Tadiç.

Ai theksoi se të gjithë e dinë se Vuçiç ka ushtruar ndikim te serbët e Kosovës para zgjedhjeve, derisa ka shtuar se është kundër pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, Vuçiç ka dhënë një intervistë për prestigjiozen CNN, derisa gazetarja e këtij mediumi, Isa Soares pati një diskutim goxha të gjatë me të.

“A e njeh Serbia, Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran?”, ishte një nga pyetjet që me insistim Soares ja drejtoi disa herë të parit të Serbisë, veç se ky i fundit sikur nguronte të jepte një përgjigje të definuar.

Fillimisht, Vuçiç përgjigjen e tij e ka lidhur me planin franko-gjerman, si dhe dialogun e zhvilluar në Ohër.

“Kjo s’është më as në pyetje, nëse e shihni se për çfarë kemi qenë duke folur nëpërmjet planit franko-gjerman, rreth asaj se çfarë kemi folur në Ohër, ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve. Ky është një kusht kryesor për Serbinë për rrugën drejtë Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.

Por, gazetarja insistoi përsëri, derisa u shpreh duke e pyetur – “Por, pyetja ime është ‘a e njihni Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran’?”.

Pas këtij ngulmi, Vuçiç fillimisht u përgjigj duke thënë se “nuk e ka dëgjuar mirë pyetjen”, derisa radhën tjetër e kishte një përgjigje, por përsëri të tërthortë.

“E njohim kartën e OKB-së dhe rezolutën e OKB-së dhe jemi gjithmonë të gatshëm të diskutojmë për kompromise”, ka përfunduar ai.

“E njohim kartën e OKB-së dhe rezolutën e saj”, thotë Vuçiç për CNN, kur pyetet se “A e njeh Serbia, Kosovën si shtet të pavarur?”

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore