Lajme

Szunyog: Nga 2007 investuam mbi 85 milionë euro në edukimin e të rinjve


Fotografi e publikuar nga shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog në rrjetin social ‘Tëitter’.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ka theksuar se kanë investuar miliona në Kosovë në edukimin e të rinjve.

Ai përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’ është shprehur se që nga viti 2007 deri këtë vit, në Kosovë sollën 85 milionë euro.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, dua që të theksoj se edukimi është çelësi i zhvillimit. Ja pse BE-ja vazhdon të investojë në edukimin e të rinjve të Kosovës. Nga viti 2007 deri më 2022, BE-ja ka investuar më shumë shumë se 85 milionë euro në përmirësimin e cilësisë të edukimit fillor, të mesëm dhe të lartë në Kosovë”, ka shkruar Szunyog.

Në Kosovë, më 12 gusht është shënuar Dita Ndërkombëtare e të Rinjve.

Një hulumtim i fundit i bërë nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP), i titulluar ‘Sfidat dhe këndvështrimet e të rinjve në Kosovë’, ka treguar se mungesa e mundësive për punë, varfëria ose situata e dobët ekonomike, dhe nepotizmi mbeten tri sfidat kryesore për të rinjtë në Kosovë.

Sipas këtij raporti, të rinjtë në Kosovë përballen edhe me probleme të mirëqenies mendore.

Sipas hulumtimit, tre në katër të rinj në Kosovë, kishin shprehur shqetësime të lehta deri në ekstrem në lidhje me përballimin e stresit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore