Lajme

Szunyog: Negociatat mes Kosovës dhe Serbisë të sjellin zgjidhje afatgjate për të mirën e popullatës


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, ambasadori Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog është shprehur optimist që marrëveshja e Ohrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të implementohet sa më shpejt.

Vitin 2023, Szunyog e ka quajtur “vit të dialogut dypalësh”, duke kërkuar edhe zbatim të ujdisë.

Këtë deklaratë ai e bëri së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, teksa e kanë përuruar Muralin e Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së.

“BE-ja luan një rol vendimtar në Ballkanin Perëndimor në promovimin e dialogut dhe pajtimit, veçanërisht ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është shumë e rëndësishme që negociatat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të vazhdojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe që ato të sjellin zgjidhje afatgjata për të mirën e popullatës në terren, dhe njëkohësisht duke ndërtuar ura ndërmjet komuniteteve”, ka thënë ai.

Madje, theksoi se ndihet i lumtur që këtë vit Kosova e ka përfunduar edhe problemin me liberalizimin e vizave.

“Çështja e pazgjidhur e liberalizimit të vizave ka qenë si një re e zezë mbi marrëdhëniet BE-Kosovë gjatë dekadës së fundit dhe jam shumë i gëzuar të them se që nga 1 janari 2024, kosovarët nuk do të kenë më nevojë për viza për vizita turistike afatshkurtra në Zonën Shengen”.

Murali i Energjisë së Mirë,

Szunyog dhe Rizvanolli: BE-ja po e mbështet Kosovën që t’i përmbushë standardet për energjinë e gjelbër

Szunyog, në shënim të Ditës së Evropës, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e kanë përuruar Muralin e Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së Bashkimit Evropian.

Ai para gazetarëve tha se BE-ja do të vazhdojë të jetë e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në sektorin e energjisë.

“Bashkimi Evropian është një projekt i ndërtimit të paqes dhe jemi mjaft të shqetësuar për luftën në Ukrainë. Kjo luftë nuk po e prek vetëm Ukrainën, por gjithë Evropën. Kjo luftë ka pasur shumë pasoja, ndër to edhe rritjen e çmimit të energjisë, prandaj edhe jemi fokusuar që ta ndihmojmë Kosovën në këtë sektor”.

Teksa theksoi se kjo mbështetje po bëhet me qëllim që Kosova t’i përmbushë standardet e BE-së sa i përket energjisë së gjelbërt.

“Jemi shumë të lumtur që së bashku me Qeverinë kemi finalizuar pakon e mbështetjes për energjinë. Por, jemi duke punuar edhe në projekte të tjera që ta ndihmojmë Kosovën në tranzicionin e gjelbër, që t’i arrijë qëllimet e ‘Marrëveshjes së Gjelbër’, por edhe që t’i përmbushë standardet e BE-së. Kosova dhe gjithë rajoni e kanë vendin në BE, prandaj kjo është i rëndësishme për ne”.

“E shohim Kosovën, si dhe gjithë rajonin, si shtete të ardhshme të BE-së”.

Artane Rizvanolli.

Një tjetër arritje, siç cilësoi ai, janë tri marrëveshjet financiare IPA të nënshkruara ndërmjet BE-së dhe Kosovës, duke përfshirë Pakon e Mbështetjes Energjetike.

“Ndihma e përgjithshme financiare e BE-së për Kosovën në kuadër të IPA-s, përkatësisht Instrumentit të BE-së për Ndihmën Para-Anëtarësimit, nga viti 2007 deri më sot, ka tejkaluar 1.4 miliardë euro. Kjo ndihmë po përdoret për të ndihmuar Kosovën, ndër të tjera, për zhvillimin e ekonomisë dhe infrastrukturës së saj, për përmirësimin e arsimit dhe mbrojtjen e mjedisit si dhe përafrimin e legjislacionit të saj me acquis të BE-së”, tha Szunyog.

“Si ndihma jonë financiare ashtu edhe mbështetja me ekspertë janë të orientuara drejt avancimit të Kosovës në rrugën e saj të integrimit në BE. Shpresoj që deri në Ditën e Evropës të vitit të ardhshëm të kemi një zhvillim edhe më pozitiv për të festuar.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se “murali e simbolizon të ardhmen evropiane dhe energjetike të Kosovës” teksa ka përmendur edhe vlerat evropiane që sipas saj Kososva i tregon.

“Murali që po shohim sot simbolizon në mënyrë perfekt të ardhmen tonë evropiane energjetike. Në këtë ditë qe po shënojmë Dutën e Evropës, vlen të theksohet se Bashkimi Evropian me rastin e agresionit rus mbi Ukrainën, ka treguar një unitet dhe që plotësisht i jetëson vlerat mbi të cilat është  themeluar, si paqen, demokracinë dhe të drejtat e njeriut”.

“Ne si shtet i Kosovës, megjithëse i ri, kemi treguar vlerat tona dhe se e kemi vendin askund tjetër, përpos në Bashkimin Evropian. Kemi shënuar shumë suksese, si liberalizimin e vizave, aplikimin për Këshillin e Evropës, aplikimin për anëtarësim në Be si dhe progres në të gjitha fushat e agjendës së BE-së”, ka deklaruar ministrja.

Gjithashtu, ka përmendur edhe disa projekte që i ka cilësuar si të veçanta në sektorin e energjisë, si dhe ndihmën e BE-së për ballafaqimin me krizën, e cila ka qenë më e larta në rajon për kokë banori.

“BE ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët tanë kyç i cili ndër vite na ka ndihmuar ta përforcojmë sektorin tonë të energjisë. Në veçanti, do ta përmendja projektin e fundit në Gjakovë për ngrohtoren e qytetit. Një investim prej 15 milionë eurosh, si dhe përkrahjen e projektit të ngrohjes solare qendrore në Prishtinë”.

“Kemi pasur një përkrahje të jashtëzakonshme nga BE-ja edhe për  përballje me krizën. Brenda një afati shumë të shkurtër, BE ka vënë në dispozicion 75 milionë euro, qe ka qenë vlera më e lartë për kokë banori ne rajon për një shtet”.

Kosova vërtetë është shteti më i ri në kontinentin evropian, por njëherit edhe i vetmi vend në këtë hapësirë gjeografike që për 9 maj marrin pushim nga angazhimet e obligueshme institucionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore