Lajme

Sveçla: Rreth 100 herë është sulmuar Policia e Kosovës nga grupet ekstremiste në Veri


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se gjatë vitit 2023, sfida më e madhe ka qenë ruajtja e integritetit territorial dhe e sigurisë publike.

Ai gjatë fjalimit të tij në Këshillin për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut ka deklaruar se Policia e Kosovës në pjesën veriore është sulmuar rreth 100 herë nga grupe ekstremiste.

“Gjatë këtyre viteve Policia e Kosovës është sulmuar rreth 100 herë nga këto grupe ekstremiste dhe lajmi i fundit është që një sulm e kemi pasur ditën e djeshme ku është rrezikuar jeta e një pjesëtari të policisë, megjithatë situata atje është përmirësuar ndjeshëm, për disa qarqe edhe pabesueshëm mirë”, ka deklaruar Sveçla.

Ndërsa, ka bërë të ditur se policia gjatë periudhës janar – nëntor ka iniciuar mbi 46 mijë raste, prej të cilave 26 mijë kanë qenë vepra penale.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Falë angazhimit dhe mbështetjes së të gjithëve, është arritur neutralizimi i grupeve kriminale, që pak a shumë ka qenë i njëjti kontingjent i angazhuar në barrikada, në kontrabanda, shtypjen e vullnetit të qytetarëve atje, por edhe në sulme ndaj Policisë së Kosovës”.

Një zyrtar policor është sulmuar të mërkurën në Mitrovicë të Veriut derisa ishte në krye të detyrës nga një person i panjohur.

“Ankuesi mashkull kosovar-zyrtar policor, ka informuar se deri sa ishte në kryerje të detyrës, një person i panjohur me veturë ka tentuar ta godas dhe gjatë tentimit ka goditur veturën zyrtar të PK-së”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Nga policia është thënë se edhe për këtë rast kanë nisur hetimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore