Lajme

Sveçla: Pjesëtarë të BIA-s e GRU-s janë në Veri


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se në pjesën veriore të Kosovës ka edhe persona të shërbimet sekret serb i njohur si BIA, por edhe atij rus GRU.

“Kemi informata se elemente të BIA-s organizojnë grupet e ekstremistëve edhe GRU-u është aty. Ka edhe ekstremist aty”, tha Sveçla në Top Chanel.

“Qeveria e Serbisë punon për të minuar sovranitetin dhe integritetin e Kosovës qoftë në aspektin diplomatin apo shkelje të ligjit në Kosovë, duke mobilizuar dhe organizuar grupe kriminale”.

Ai ka theksuar se me një shtet jo normal si Serbia dhe qeveri si të Millosheviqit, “situata normale nuk mund të kesh”.

Për reagimet e ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian se dëshirojnë shtyrje të plotë të zbatimit të vendimit për targat, për ministrin Sveçla dallimet janë për mënyrën e inplementimit, jo për zbatimin e vendimit.

“Të gjitha shtetet e QUINT-it në fillim janë deklaruar që ky vendim është legal, i drejt dhe legjitim”, thotë ai.

“Tash ne kishim dallime në implementim. Ne jemi të bindur se me këtë që kemi bërë dhe me këtë shumëllojshmëri masash do të ia dalim që suksesshëm ta inplementojmë këtë masë pa cenuar sigurinë në masë të madhe”.

Albanian Post mbështetur në burime diplomatike, ka raportuar ekskluzivisht se prapa kërkesës së koordinuar ndërkombëtare qëndron edhe një raport shqetësues i inteligjencës së EULEX-it, mbi paraqitjen e një force paramilitare serbe në veri të Kosovës.

EULEX në përgjigjen për AP-në nuk e mohon, por as nuk e konfirmon këtë raport.

Raporti për të cilin ka informacione Albanian Post thotë se kjo forcë paramilitare, që në disa vende figuron nën emërtimin “Brigada e Veriut”, ka rreth 300 anëtarë të armatosur mirë.

Mosha mesatare e tyre është rreth të 30-tave, dhe tashmë kanë nisur patrullimet në zona të caktuara.

Patrullimi, siç mëson AP, bëhet kryesisht natën.

Raporti i inteligjencës i cilëson ata si kërcënim akut për sigurinë dhe rendin në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore