Kosova

Sveçla: Ndëshkimi i terroristëve, garanci e mospërsëritjes së sulmeve


Xhelal Sveçla dhe Ariella Viehe

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka takuar Ariella Viehe, Shefe e operacioneve aktuale, Divizioni për Operacione i Shtabit të Përgjithshëm të NATO-s, të cilës i ka theksuar rëndësinë e ndëshkimit të terroristëve, në mënyrë që të mos përsëriten sulme si ato të vitit të kaluar në Veri të vendit.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku edhe tregoi temat e tjera që ka biseduar me zyrtaren e NATO-s.

“Bashkë biseduam për situatën e sigurisë në Republikën e Kosovës, veçanërisht në veriun e vendit tonë. E njoftova Viehe për punën e institucioneve tona në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë atje. Kam shprehur shqetësimin për qasjen e vazhdueshme destruktive të Serbisë si dhe për gjuhën e veprimet e saj kërcënuese në raport me Republikën tonë”, shkroi Sveçla.

“Theksova rëndësinë e ndëshkueshmërisë së ekstremistëve të dhunshëm e terroristëve, si garanci e mospërsëritjes së sulmeve me të cilat jemi ballafaquar së bashku me pjesëtarët e KFOR”, shtoi.

Ministri pohoi të kenë vlerësuar lartë të dyja palët bashkëpunimin dhe punën e palodhshme të Policisë së Kosovës dhe KFOR, në krijimin e një ambienti të qetë e të sigurtë për qytetarët tanë.

Edhe Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar të premten zyrtaren e NATO-s, të cilës i ka thënë se vendosja e trupave ushtarake serbe në kufirin me Kosovën përbën kërcënim të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se Viehe-n e ka njoftuar me zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe planet për të ardhmen.

“Gjatë takimit gjithashtu biseduam për gjendjen e sigurisë në Kosovë, dhe theksova faktin që vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, e që duhet trajtuar me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s”, shkroi Maqedonci.

Ministri ka theksuar se zyrtares së NATO-s i ka nënvizuar se do të vazhdojnë me përkushtim të koordinohen e të bashkëpunojnë gushtë si ministri me KFOR dhe Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Ai ka ritheksuar se objektivi i Kosovës është anëtarësimi në NATO, në mënyrë që FSK të ofroj kontribut aktiv në misionet për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes, e për këtë po angazhohemi çdo ditë.

Maqedonci takon zyrtaren e NATO-s: Trupat serbe përgjatë kufirit me Kosovën rrezik për stabilitetin e Ballkanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore